Raportuesi për Maqedoninë në Parlamentin Evropian thotë se vendi ka shënuar regres në fusha të rëndësishme dhe se është i nevojshëm përkushtim në çështjet kyçe në procesin e reformave siç janë reformat në gjyqësor, administratën publike dhe media, papunësia tek të rinjtë dhe Marrëveshja Kornizë e Ohrit. Vajgëll, në Propozim rezolutën e prezantuar për Maqedoninë në lidhje me raportin e progresit të vitit 2016 të Komisionit Evropian, ka thënë se reformat dhe përgatitjet për qasje drejt BE-së janë penguar nga ana e polarizimit politik. Ai ka thënë se ka nevojë për përkushtim serioz nga ana e të gjitha forcave politike në Maqedoni që vendi të kthehet në rrugën e tij drejt integrimeve në BE. Ai ka rekomanduar që qeveria e re duhet të miratoj dhe zbatoj reforma të fuqishme.
“Parlamenti Evropian pret që qeveria e re në bashkëpunim me partitë e tjera të përshpejtojë reformat në lidhje me BE-në dhe përsërit mbështetjen e tij për hapje të negociatave për anëtarësim të kushtëzuara me avancimin e zbatimin të Marrëveshjes së Përzhinos dhe reformat urgjente prioritare dhe vazhdon të jetë i bindur që negociatat mund të gjenerojnë edhe më shumë nga reformat e nevojshme dhe të ketë ndikim pozitiv në zgjidhjen e çështjeve bilaterale.”, ka thënë Ivo Vajgëll, PE.
Vajgëll u ka bërë thirrje të gjitha partive politike t’i pranojnë rezultatet e zgjedhjeve në interes të stabilitetit vendor dhe theksohet përgjegjësia e tyre që të sigurohet që nuk do të ketë më regres në krizën politike. Parlamenti Evropian mbetet i shqetësuar për politizimin e administratës publike dhe ajo që nëpunësit shtetëror janë objekt i presionit politik. PE dënon ndërhyrjen e përsëritshme politike në punën e gjyqësorit, përfshirë këtu edhe emërimin dhe avancimin e gjykatësve dhe prokurorëve si rastet e drejtësisë selektive.
“Kërkohet vullnet politikë për përparim në reformat gjyqësore, përfshirë përmes përmirësimit të transparencës së procedurave për emërim dhe avancim dhe duke ulur kohëzgjatjen e procedurave gjyqësore. Gjithashtu, thirren autoritetet të sigurojnë profesionalizëm në Këshillin Gjyqësor. Shënohet se Prokuroria Speciale ka hapur proceset e para për veprat e para që burojnë nga bisedat e përgjuara. Janë shqetësuese sulmet dhe obstruksionet kundër punës së Prokurorisë Speciale dhe mungesa e bashkëpunimit me institucionet e tjera”, ka deklaruar Vajgëll.
Vajgëll ka ftuar PE-në të shprehë shqetësim për sulmet publike radikale dhe të paarsyeshme drejt organizatave qytetare dhe përfaqësuesve ndërkombëtar nga ana e mediave dhe politikanëve. Në lidhje me situatën ndëretnike thuhet se mbetet akoma e dobët, ndërsa theksohet se nevojitet implemetin i Marrëveshjes së Ohrit.
“Parlamenti Evropian rikujton liderët qeveritar dhe partiak në angazhimin e tyre për zbatim të tërësishëm të Marrëveshjes Kornizë të Ohrit dhe të përfundoj shqyrtimi, përfshirë edhe rekomandimet politike”, ka thënë Vajgëll, Raportues për Maqedoninë.
Theksohet poashtu shqetësim për lirinë e shprehjes së mediave, përdorimi i gjuhës së urrejtjes, ndikimi dhe presioni politik. Vajgëll fton përfaqësuesen e lartë të BE-së, Federika Mogerini dhe Komisionin Evropian të zhvillojnë iniciativa të reja për tejkalimin e ndryshimeve të mbetura mes Maqedonisë dhe Greqisë dhe në bashkëpunim me dy vendet të punoj edhe ndërmjetësuesi, Metju Nimic me qëllim që të gjendet një zgjidhje e pranueshme e të dy palëve për çështjen e emrit. Kjo draft rezolutë do të prezantohet para Parlamentit Evropian më 30 janar, ndërkohë debati kryesor dhe votimi i rezolutës së Parlamentit Evropian për Maqedoninë është i planifikuar të mbahet më 14 dhe 15 mars në Strazbur.