Raportuesi për Maqedoninë e Veriut në Parlamentin Evropian, Tomas Vajc, ka kërkuar shtyrjen e votimit për raportin për vendin, i cili ishte parashikuar të mbahej më 24 qershor. Kjo lëvizje vjen pas presionit dhe kritikave të forta nga eurodeputetë bullgarë, të cilët e akuzuan Vajcin për “takime të fshehta” me përfaqësues të palës maqedonase, përcjell INA.
Në reagimin e tij, Vajc mohoi akuzat dhe u kundërpërgjigj duke i ftuar eurodeputetët bullgarë që të regjistrojnë vetë takimet e tyre me lobistët në regjistrin zyrtar – ku, siç theksoi, deri më tani janë të shënuara vetëm tri raste.
Ai theksoi se qëndron fuqishëm pas përmbajtjes së raportit, veçanërisht në pjesët që lidhen me pranimin e gjuhës dhe identitetit maqedonas, dhe shtoi se detyra e tij është të vlerësojë zhvillimet në vend, jo të zgjidhë çështjet bilaterale mes Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë.
Pavarësisht presionit, Vajc gëzoi mbështetje të fuqishme nga një pjesë e eurodeputetëve, përfshirë Sanchez Amor dhe Dan Barna, të cilët e dënuan fushatën kundër tij, duke e cilësuar si të padrejtë dhe të motivuar politikisht.
Në anën tjetër, eurodeputetët bullgarë e mirëpritën shtyrjen e votimit, duke e quajtur atë një “vendim të mençur dhe të përgjegjshëm”.(INA)