Maqedonia, e cila i mbijetoi luftërave ballkanike të viteve 90-të të shekullit të kaluar pa dhunë masive dhe në të cilën jetojnë njerëz të ndryshëm dhe grupe të ndryshme etnike dhe fetare që arritën të ndërtojnë një shoqëri paqësore, dikur ishte lidere në rajon kur, 20 vjet më parë, e filloi procesin e anëtarësimit në BE së bashku me Slloveninë, tha eurodeputeti austriak Tomas Vajc në fjalimin e tij para Parlamentit Evropian gjatë një debati mbi raportin e tij për vendin për vitin 2023 dhe 2024 sonte.
“Ku ndodhet Sllovenia sot dhe çfarë i ndodhi Maqedonisë së Veriut? Pati disa pengesa gjatë rrugës. Pengesa që ndërlidhen me historinë, pengesa që ndërlidhen me luftërat e shekullit të kaluar, pengesa me mënyrën e ndërtimit të marrëdhënieve të mira dypalëshe me fqinjët. Por marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë duhet të ndërtohen gjithmonë nga të dyja palët”, kjo është shumë e qartë, shtoi Vajc.
Ai theksoi se, megjithëse vendi ka qenë në rrugën e anëtarësimit në BE tashmë 20 vjet dhe ka zbatuar një pjesë të konsiderueshme të legjislacionit evropian, ai ende nuk ka filluar zyrtarisht negociatat për anëtarësim në BE, edhe pse duhet ta kishte bërë këtë.
“Nëse i shikoni si partnerë të Bashkimit Evropian, ata janë partneri ynë i besuar. E ndajnë politikën tonë të përbashkët të jashtme dhe të sigurisë njëqind për qind, janë anëtarësuar në NATO, janë bashkuar me përpjekjet e përbashkëta që kemi në Bashkimin Evropian. Sot, kur ne evropianët e kuptojmë se duhet të mbrojmë fatin tonë dhe se ne evropianët duhet të qëndrojmë së bashku në dritën e asaj që po ndodh globalisht, mendoj se duhet të shqyrtojmë përshpejtimin e procesit të pranimit të Maqedonisë së Veriut”, tha eurodeputeti austriak.
Vajnc theksoi se Raporti jep një pamje të plotë të gjendjes së vendit dhe mirëpret disa arritje, por gjithashtu bën thirrje për reforma dhe flet për gjuhën e urrejtjes, krimet e urrejtjes, nevojën për sundimin e ligjit, luftën kundër korrupsionit dhe jo vetëm për miratimin e ligjeve, por edhe për rezultatet që do të ndihen nga qytetarët.
“Në Raport flitet shumë për ndryshimet kushtetuese që kërkohen për të filluar negociatat e aderimit. Ndryshimet kushtetuese që përfshijnë edhe pakica të tjera në Kushtetutë, ndër të cila edhe atë bullgare”, tha Vajc.
Ai theksoi se në dokument diskutohet edhe për gjendjen ekonomike, e cila, siç tha ai, ka anët pozitive, por edhe mangësitë, si dhe për shfrytëzimin e pamjaftueshëm të mbështetjes që vjen nga Bashkimi Evropian, në kushte kur është shumë e rëndësishme që vendi të investojë në staf profesional dhe t’i mbajë ata që kanë treguar se janë të aftë.
“Ai vend është plot me trashëgimi natyrore të jashtëzakonshme, male, liqene, monumente kulturore, por për fat të keq, vendi është gjithashtu plot me mbeturina, deponi të paligjshme dhe ndotje. Po, ka një përmirësim të situatës, por ka ende shumë për të bërë”, përfundoi Vajc.
Ai theksoi se shoqëria civile në vend ka kushte për të punuar, por se është i dukshëm edhe ndikimi negativ, i cilit duhet të luftohet, pavarësisht nëse është rus, kinez, saudit, serb apo nga kudo tjetër, sepse njerëzit duhet të vendosin vetë për fatin e tyre. Në atë kontekst, sipas tij, dokumenti flet edhe për mediat, nevojën për transparencë në pronësinë e medias, si dhe për potencialin që ka vendi.
“Ky Raport përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt anëtarësimit në BE dhe shpresoj që shumë prej jush do ta mbështesin atë në votimin nesër. Ata do të mbështesin pranimin e Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian ose të paktën hapin tjetër që mund të ndërmarrim në një mënyrë konstruktive, të përbashkët dhe proevropiane”, shtoi Vajc.