Sekretari organizativ i Aleancës për Shqiptarët, Gadaf Uzairi, përmes një postimi, i është përgjigjur zëvendëskryeministrit Arben Fetai, i cili sot deklaroi se Arben Taravari është izoluar në një rreth të ngushtë. Uzairi, në reagimin e tij, i shkruan Fetait se në vend që të merret me debate sterile, më mirë le ta paraqesë rrethin e tij të gjerë – nëse ekziston, shkruan Top24.
“Arben Fetai thotë se Arben Taravari është i vetëm, i izoluar në një rreth të ngushtë njerëzish. Le ta paraqesë ai rrethin e gjerë që përmend, nëse ekziston vërtet – me fakte, jo me opinione personale! Sepse rrethi i Taravarit është çdo ditë në terren: në organizime partiake, në takime me qytetarë – jo në debate sterile online,” shkruan Uzairi.
Sipas tij, për ata që ndihen jashtë çdo rrethi, duhet thënë se Taravari ka një mbështetje që nuk ka nevojë ta shpikë: ajo shihet, dëgjohet dhe ndihet. “Dallimi është i qartë – disa flasin për rreth, të tjerët e ndërtojnë atë.”
Në fund, Uzairi shton një pyetje publike për një nga ata që, sipas tij, janë pjesë e “rrethit të gjerë” që përpiqet të manipulojë opinionin:
“Mimoza A. Musa, a është kjo qeveri që ju e përkrahni një qeveri antishqiptare?”