Kryetari i Shoqatës Bjeshkatare Alpiniste “Karadaku”, Usamedin Nuhiu në një intervistë të shkurtër për portalin Almakos ka folur rreth aktivitetit të tyre në promovimin e shtegut Fadil Nimani-Tigri.
Almakos: Me 25 maj do të promovoni shtegun Fadil Nimani-Tigri, na përshkruani pak këtë shteg?
Usamedin Nuhiu: Me 25 maj të vitit 2025 do të promovojmë shtegun Fadil Nimani-Tigri, për nder të këtij komandanti i cili me 25 maj ra dëshmor në Vakcincë të Komunës së Likovës. Shtegu është i lehtë dhe lidh fshatrat Sllupçan me Vakcincë, në dy drejtimet diku është 8.5 kilometra. Ka pamje të bukura përallore të cilat i ofron Karadaku i Kumanovës, të dëshmuara në objektivin e fotoaparateve të bjeshktarëve të ndryshëm.
Almakos: Pse është me rëndësi që një i ri ose e re të merret me alpinizëm dhe bjeshkatari?
Usamedin Nuhiu: Promovimi i shtegut Fadil Nimani me 25 maj është një shans i mirë për të filluar me aplinizëm dhe me bjeshkatari. Më mirë që të rinjtë dhe të rejat të lidhen me bjeshkët dhe malin sesa të kapin rrugët devijuese të cilat e dëmtojnë dukshëm shoqërinë tonë. Së pari ka dobi të shumta shëndetësore, së dyti bëhet fjalë për një sërë dobish tjerash psikologjike dhe sociale të cilat njeriut ia lehtësojnë algoritmin e jetës.
Almakos: Cilat janë pritjet tuaja për me 25 maj?
Usamedin Nuhiu: Ne, kemi përkrahjen e Unionit të Shoqatave Bjeshkatare të Shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut dhe me 25 maj të këtij viti presim mysafir nga të gjitha trojet shqiptare. Sipas llogarive tona diku 150-200 bjeshkatarë nga mbarë trojet shqiptare do të marrin pjesë në promovimin e këtij shtegu./Almakos/