Bajrami i këtij viti na vjen përsëri duke na përgëzuar për suksesin e arritur gjatë Ramazanit, duke na e sjellë buzëqeshjen e lumtur të festës, por edhe duke na i ndërmendur dhimbjet e ndarjet që i kemi pasur gjatë këtij viti.
Dhe, në këtë ditë feste, derisa urojmë nga zemra, t’i kujtojmë edhe ato sofra që sot janë të vobekta jo vetëm për nga modestia e ushqimeve, por edhe për nga mungesa e njerëzve që ndërkohë i përcollëm për në botën tjetër.
Bajrami është festë e vizitave, dashurisë dhe harmonisë. Andaj, këto ditë mos u kurseni, shpërndajeni gjithkund këtë gëzim.
Njerëzimi edhe në të kaluarën ka kaluar këso sfida, por gjithnjë ia ka dalë. Andaj, unë jam i bindur se edhe kjo sprovë e Zotit dalëngadalë po merr fund dhe ne po bashkohemi si gjithnjë në festa e gazmende.
Lutem që agimi i Bajramit të na gjejë me plot dashuri, ndërsa sofra e Bajramit të jetë e bereqetshme dhe e mbushur plot me lutje për Zotin, Furnizuesin e Vetëm!
E gëzofshi për mot e jetë Bajramin e Madh!
Zoti ju bekoftë!