Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë, Talat Xhaferi dërgoi urime me rastin e 11 tetorit – Ditës së kryengritjes popullore.
“Në këtë ditë, para 76 viteve, populli në Republikën e Maqedonisë qartë dhe pa mëdyshje qëndroi kundër fashizmit, kundër së keqes më të madhe në historinë e njerëzimit, në anën e drejtësisë, përballë padrejtësisë. Shumë luftëtarë, të njohur dhe të panjohur i dhanë jetët e tyre në atë luftë çlirimtare popullore dhe antifashiste. Sot, duke e festuar 11 Tetorin, ne shprehim respekt ndaj veprës së tyre të madhe dhe të sakrifikimit të tyre. Falë guximit dhe qëndrueshmërisë së tyre, Maqedonia është vend i lirë dhe i respektuar, i cili hapëron në rrugën e integrimeve euroatlantike, të cilat janë përcaktim strategjik dhe prioritet kulmor në zhvillimin e shtetit tonë”, thotë Xhaferi në urimin.
Duke hapëruar në atë rrugë, së bashku, me mirëkuptim të ndërsjellë, respektim dhe kultivimin e llojllojshmërive mes të gjithë qytetarëve, tha kryetari i Kuvendit, jemi të bindur se ky vend i yni do të jetë shtëpi e përbashkët i të gjithë qytetarëve, të cilët ardhmërinë e tyre dhe ardhmërinë e gjeneratave të ardhshme do të shohin në Republiklën e Maqedonisë demokratike, bashkëkohore dhe evropiane.