Presidenti Stevo Pendarovski me rastin e shënimit të 21 dhjetorit – Ditës së mësimit në gjuhën turke, dërgoi urim për pjesëtarët e komunitetit turk në Republikën e Maqedonisë së Veriut.
“Thelbësore për zhvillimin e një komuniteti është e drejta për arsim cilësor dhe funksional në gjuhën amtare. Shteti nuk duhet të bëjë kompromise dhe improvizime kur bëhet fjalë për këtë çështje thelbësore që është aq e rëndësishme për ruajtjen e kulturës dhe traditës së bashkësive më të vogla etnike. Përkundër sfidave në realizimin e kësaj të drejte, Maqedonia e Veriut është krenare që komunitetet etnike tashmë një kohë të gjatë munden ta shfrytëzojnë të drejtën e mësimit në gjuhën e tyre amtare. Besoj se çdo person i çdo komuniteti është po aq i rëndësishëm për këtë shtet që është shtëpi e përbashkët për të gjithë ne”, thotë Pendarovski në urim.
Çdo person dhe çdo komunitet, përfshirë edhe atë turk, është pjesë e mozaikut tonë të pasur, shton Pendarovski, duke potencuar se turqit nga Maqedonia e Veriut me traditat e tyre autentike lokale dhe letërsinë dhe artin e tyre të pasur, pasurojnë jetën kulturore dhe shoqërore të shtetit tonë të përbashkët.



