Kryetari i komunës së Çairit, Visar Ganiu ka akuzuar qytetarët se nuk e përdorin Urën në Bit Pazar. Megjithatë, ajo që ka harruar të cek Ganiu është fakti se Ura është në gjendje të mjerueshme. Që nga lëshimi në përdorim të Urës, ashensorët asnjëherë nuk kanë funksionuar, shkallët janë të thyera, aroma e urinës të ndanë frymën dhe plehra mund të hasen gjithandej. Hapësira rreth urës është bërë depo për shitoren afër, të cilën Ganiu ka thënë se nuk do ta heqin ngase ka leje për funksionim. E përderisa për katër vite gjatë mandatit nuk ka gjetur zgjidhje për këtë problem, Ganiu sot ka premtuar se do të vendosin semaforë në atë pjesë. “Për kalimin për këmbësor nëse e mbylim atë duhet të funksionoj, ura. Kjo nuk varet nga ne por qytetarët nuk e shfrytëzojnë urën. Në të ardhmen do të bëjmë regjim të ri për trafik, ndoshta aty do të vendosim semaforë dhe vendkalim të ri dhe urën do ta mbyllim plotësisht”, ka deklaruar Visar Ganiu.








