Në vigjilje të shënimit të Festës kombëtare të arsimit shqip, 7 Marsi, Universiteti Nënë Tereza në Shkup në prani të mysafirëve te shumtë mbajti akademi solemne, njofton Medial.mk.
Përveç për të kujtuar këtë datë të rëndësishme dhe të gjithë ata që kanë kontribuar ne arsimimin e kombit u dhanë dhe mesazhe e zotime për të avancuar edhe më tej arsimimin e gjeneratave të reja si dhe përmirësimin e statusit të mësimdhënësve.
Zëvendësministri i arsimit dhe shkencës Arbër Ademi tha se do të vazhdohet me përpjekjet për të çuar përpara edhe gjuhën edhe arsimimin në gjuhën shqipe.
“Un si zëvendësministër i Arsimit dhe Shkencës, personalisht por dhe në emër të Qeverisë së RM-së, ju siguroj se do të vazhdojmë me përpjekjet tona për të çuar përpara gjuhën shqipe, por edhe arsimimin në gjuhën shqipe duke ndërmarrë të gjitha masat konkrete, veprime konkrete, aktivitete konkrete në drejtim të këtij avancimi”,- tha zëvendësministri i Arsimit dhe Shkencës, Arbër Ademi.
“Shkollat janë vatrat më të rëndësishme të çdo kombi për lartësimin e dinjitetit njerëzor, ndërtimin e një të ardhme të ndritur dhe hapërim në rrugën e përparimit, për kombin tonë të përvuajtur e që ka përballuar stuhi të shumta për të ruajtur identitetin e vet,. Shkollat kanë qenë vatrat që nuk lejuan gjunjëzimin përballë rezistencës së egër pushtuese për asimilim”,- theksoi kryetari i komunës së Çairit, Visar Ganiu.
Në prag të Ditës së mësuesit, Universiteti “Nënë Tereza” në Shkup dhe Universiteti i Tiranës nënshkruan marrëveshje bashkëpunimi.
“Kjo konsolidon ose themelon bashkëpunimin e vazhdueshëm me këtë universitet në shkëmbim të stafit akademik, të studentëve në pjesëmarrje të përbashkët në projekte kërkimore dhe në të gjitha aktivitetet e ndryshme”,- u shpreh rektori i Universitetit të Tiranës, Mynyr Koni.
Me këtë rast, rektori i Universitetit të Tiranës bëri të ditur se po planifikon të mbledhë në një tryezë të rrumbullakët në Tiranë të gjitha universitetet shqipfolëse për të mundësuar një bashkëpunim të ngushtë me qëllim të përmirësimit, zhvillimit, arsimimit dhe përparimit të kombit shqiptar.