Para disa ditëve Presidenti i vendit, Gjorgji Ivanov, nënshkroi rishikimin e buxhetit, i njejti u votua nga Kuvendi i Republikës së Maqedonisë. Rishikimi i buxhetit ka paraparë që të reduktohet një shumë e të hollave në disa krerë të Kuvendit, dhe institucione, ndërsa të prekur janë edhe institucionet ku udhëheqin shqiptarët. Një ndër ato është Universiteti “Nënë Tereza”, i cili ka filluar vitin me 22 programe të reja, poashtu edhe me konkurse për pranimin e stafit akademik dhe stafit administrativ.
Pasi është goditur rëndë nga rishikimi më i ri i arkës shtetërore, do të reduktohet edhe numri i punëtorëve në këtë Universitet, kështu thonë burimet zyrtare të UNT-së.
Mungesa e hapsirave është përfolur shumë, ku edhe pasi është deklaruar nga Rektori Aziz Pollozhani se plani ideor për objektin është gati, ku edhe parasheh ndërtimin e objekteve studimore dhe multimediale në një hapësirë prej 39000 metra katrorë, për nevojat e 4000 – 5000 studentëve të shkallës deri diplomim dhe pasdiplomike.
Arsim Pollozhani në një prononcim për Almakos tha se i gjithë procesi i vonesës së funksionimit të plotë të UNT-së, që është përshkruar, ka ndodh për shkak të fazave turbulente politike edhe ribalancit, ku edhe është kërkuar një kohë për harmonizimin e disa segmenteve të projektit. Për fazën e përgatitjes së projektit ideor për ndërtimin e objektit të UNT-së, ishte paralajamëruar se shuma e pranimit arrin 4 900 000 denarë. Këtu hyn edhe përgatitja e konkursit përkatës.
Problemi i ka zhvendosur studentët në shkollën “Kongresi i Manastirit”, në objektin e UEJL-së. Në mungesë të objektit përkatës regjistrimi i studentëve të rinj për vitin akademk 2017 – 2018 zhvillohet në Qendrën Informative të hapur për këtë qëllim, në objektin e Lidhjes së Sindikatave ku gjithashtu është i vendosur edhe rektorati.
Të pyetur nga Almakos, nëse ky shkurtim i kapitalit financiar do të sjell pasoja dhe poashtu nëse mungesa e mjeteve do të ndikojë në planin për themelimin e objektit, i cili është parashikuar në kazermën e Ilindenit, prorektori i këtij Universiteti, Bekim Fetaji thotë se nuk bëhet fjalë për shumën që është ndarë, për investimin e objektit të Universitetit.
“Buxheti për pjesën e projektit ideor, nuk ka ndryshime. Ndërsa, buxheti i paraparë është parashikuar për stafin administrator dhe akademik, për 85 persona, por janë aprovuar diku 42, ndërsa për 43 të tjerë nuk mund të shfrytëzohet buxheti. E tani ne kërkojmë përsëri të bëhet ribalanci i buxhetit, që të kthehet ky kapital”, tha Fetaji, prorektor në UNT, për Almakos.
Edhe pse ky universitet pritej që të kompletohet me kuadër arsimor dhe të fitoj objekt të vetin, me rishikimin e ri duket që “Nënë Tereza” edhe një kohë të gjatë do të ngelet pa kuadrin e nevojshëm.
Në rishikimin e ri të buxhetit këtij universiteti iu morën gjysmë millioni euro nga buxheti i paraparë për këtë vit dhe pjesa më e madhe shkurtohen pikërisht nga pagat dhe kompensimet. Në buxhetin fillestar për këtë vit, për universitetin “Nënë Tereza” ishin paraparë mbi 116 milionë denarë, ndërsa me rishikimin e fundit të Qeverisë, këtij universiteti i merren 35 milionë denarë apo 570 mijë euro. Pjesë më e madhe shkurtohen pikërisht nga mjetet që jepen nga buxheti shtetëror dhe nga grafa e pagave dhe kompensimeve.
Nga 60.520.000 euro sa ishin paraparë në buxhetin fillestar për pagat e profesorëve dhe të punësuarve në Universitetin “Nëna Terezë” në Shkup, me rishikimin e propozuar tani parashihen vetëm 27.428.000 denarë. Me këtë UNT-së i hiqen rreth 33 milionë denarë apo 538 mijë euro nga buxheti i paraparë për pagat dhe kompensimet.
Delvina Kërluku
Almakos.com

