Universiteti Ndërkombëtar Ballkanik (IBU) në Shkup, i themeluar në vitin 2006 me iniciativë të personaliteteve të rëndësishme të opinionit nga Turqia, akademikë dhe afaristë, ka shtuar një sukses të ri në listën e sukseseve të tij.
IBU, i themeluar nga bamirës dhe afaristë në Ballkan dhe në Maqedoni, me theks të veçantë nga Turqia, për të sjellë në një vend rininë e Ballkanit, në klasifikimin e universiteteve për vitin 2015/2016 nga Shangai, është renditur si universiteti më i mirë në Maqedoni në sferën e arsimit.
Rektori i IBU-së, Prof. Dr. Ismail Koxhajusufoglu, duke folur për Agjencinw Anadolu, shprehu kënaqësinë për sukseset e arritura nga universiteti.
“Në klasifikimin e Shangait, që është një nga kriteret e rëndësishme në literaturën botërore për vlerësimin e universiteteve, IBU është klasifikuar si universiteti më i mirë në Maqedoni në sferën e arsimit”, tha Koxhajusufoglu.
Rektori Koxhajusufoglu theksoi se besojnë që krahas sferës së arsimit, në të ardhmen të realizojnë edhe rritjen e nivelit edhe në sferën e hulumtimeve dhe përfitimeve socio-kulturore, duke shtuar se kanë besim të plotë që këtë do ta arrijnë me mundësitë dhe kampusin e ri.
Kalimi në kampusin e ri do të bëhet brenda këtij viti
Koxhajusufoglu rikujtoi se universiteti fillimisht ishte hapur me dy fakultete dhe theksoi se ai aktualisht posedon shtatë fakultete me 22 programe për studime deridiplomike dhe gjashtë programe për studime pasdiplomike, duke u ofruar kështu studentëve arsim cilësor.
Duke tërhequr vëmendjen drejt numrit të studentëve dhe diversitetit të vendeve nga vijnë ata, Kocayusufoğlu u shpreh se “Nëse marrim parasysh përbërjen e studentëve, ne jemi universitet që mundësojmë takimin e studentëve jo vetëm nga Ballkani, por edhe nga Evropa, Azia dhe Azia Qendrore, si dhe nga Turqia, e cila është urë lidhëse për këto vende. Ne këtë e realizojmë edhe më shumë përmes aktiviteteve ndërkombëtare, ndërsa jemi hapësirë ndërkombëtare që sjellim në një vend studentë nga çdo vend i botës përmes simpoziumeve, kongreseve studentore dhe projekteve të Erasmusit. IBU sot ka nderin të ketë studentë nga çdo vend i Ballkanit.”
Koxhajusufoglu më tej njoftoi se universiteti këtë vit do të transferohet në kampusin e ri. Ai tha se me kampusin e ri do të përfundohet pjesa që i mungonte universitetit dhe në këtë mënyrë do të fitojë tiparin e të qenët një universitet me çdo gjë që posedon.
Duke theksuar se IBU është i akredituar si në Maqedoni, ashtu edhe në Turqi, Koxhajusufoglu tha se ai është universiteti i vetëm që pranon përmes provimit studentë që vijnë nga Turqia, duke qenë se universiteti gjendet në katalogun e Qendrës Turke për Vendosje dhe Vlerësim për Përzgjedhje (ÖSYM).
Rektori Koxhajusufoglu tha se epiteti që kanë fituar si universiteti më i mirë është treguesi më i veçantë se çfarë arsimi serioz dhe të kuptimtë mund t’u ofrojnë brezave të ardhshëm.
Ai nënvizoi se universiteti mundëson integrimin mes studentëve dhe arsimit, duke shtuar se çdo ditë janë duke vazhduar me hapa të sigurtë për t’u bërë universitet lider me kongreset studentore, kongreset shkencore dhe aktivitetet sociale.

