Nxënësit të cilët zgjedhin që të ndjekin mësimin në medrese nuk trajtohen njëjtë sipas dispozitave ligjore si nxënësit e shkollave tjera shtetërore dhe private në vend. Nxënësit e kësaj kategorie janë të privuar nga e drejta për maturë shtetërore, e cilia është kusht bazë për regjistrim në njërin ndër universitetet në vend, raporton Tv SHENJA. Ligji për Maturë Shtetërore, përfshinë nxënësit që ndjekin mësim në gjimnaz, shkolla profesionale dhe shkolla të artit, por jo edhe ato të medresesë. Në këtë mënyrë, rreth 1000 nxënës, sa është numri mesatar i nxënësve që ndjekin mësimin në medrese, prej të cilëve rreth 700 të rregullt dhe mbi 300 me korrespodencë, janë të privuar nga e drejta që të regjistrohen në fakultet të ndonjë fushe tjetër.
RREGULLORJA E PROVIMIT SHTETËROR
“Provim shtetëror mund të realizon kandidati i cili ka përfunduar vitin e fundit të gjimnazit, arsimit profesional, përkatësisht shkollave të artit.
Provim shtetëror mund të realizon edhe kandidati i cili paraprakisht ka kaluar maturë shkollore në gjimnaz apo maturë shkollore në shkollë të arteve apo provimin final në arsim profesional, por jo në të njejtin vit shkollor.
Provim shtetëror mund të realizon edhe kandidati i cili ka kaluar maturën në kuadër të programit për maturë ndërkombëtare apo lloj tjetër të provimit final në arsim të mesëm katërvjeçar. Maturë shtetërore mund të realizoj edhe kandidati i cili ka përfunduar arsim të mesëm katërvjeçar në shtet të huaj dhe ka marrë diplomë të nostrifikuar”.
Edhe në Ligjin për Arsim të Lartë qëndron qartë se, të drejtë për regjistrim në ciklin e parë të studimeve akademike, si dhe të studimeve në fushën e artit, kanë të drejtë vetëm personat që kanë kaluar maturën shtetërore, maturë ndërkombëtare apo personat që kanë përfunduar arsim të mësim katërvjeçar sipas rregullave që kanë qenë në fuqi para maturës shtetërore. Sipas Zyrës për Arsim në Universitetin e Tetovës, ky ligj vështirëson regjistrimin e nxënësve të medreses në arsim të lartë.
ZYRA PËR ARSIM, UNIVERISTETI I TETOVËS
“Në bazë të kësaj dispozite ligjore, nxënësit të cilët nuk e kalojnë me sukses maturën shtetërore, nuk do të kenë të drejtë aplikimi dhe regjistrimi në studimet e ciklit parë. Sipas kësaj këtë vit akademik është vështirësuar akoma e më shumë regjistrimi i nxënësve nga shkollat fetare. Statusi i medresesë në vendin tonë është jo i definuar në aspektin juridik dhe nuk është pjesë e sistemit arsimor, andaj vlerësojmë se për këtë arsye nuk mund të aplikohet provimi i maturës shtetërore. Sipas ligjit aktual, për fat jo të mirë këta nxënës në rast se nuk do t’i nënshtrohen maturës shtetërore, nuk do t’i përmbushin kriteret për aplikim në studimet e ciklit parë, përveç nëse deri në periudhën e regjistrimeve nuk do të sillet ndonjë Vendim tjetër nga institucionet përkatëse të vendit ose do të gjendet ndonjë rrugëzgjidhje nga palët e përfshira”.
Ata po ashtu, thonë se interesimi i nxënësve nga kjo shkollë është shumë i lartë dhe Universiteti i Tetovës, ka dërguar shkresë tek organet drejtuese të shkollës së medresesë që të menaxhohet dhe trajtohet ky problem. Teuta Buçi /SHENJA/