Një hap historik për bashkëpunimin studentor shqiptar u realizua sot në hapësirat e Universitetit të Tetovës, ku kryesitë e parlamenteve studentore të tre universiteteve shqiptare – Universiteti i Tetovës (UT), Universiteti i Evropës Juglindore (UEJL) dhe Universiteti Nënë Tereza në Shkup (UNT) – u takuan për herë të parë.
Qëllimi i këtij takimi ishte zyrtarizimi i unifikimit të parlamenteve, mobilizimi i studentëve për çështjen e provimit të jurisprudencës dhe diskutimi i çështjeve me interes për studentët, duke krijuar një koordinim të përbashkët të veprimeve studentore.
Në takim morën pjesë kryetarët e parlamenteve studentore: Leart Ibraimi nga UT, Besar Sejdiu nga UNT dhe Besjan Rexhepi nga UEJL, së bashku me studentë të Fakultetit Juridik të përfshirë në iniciativën për provimin e jurisprudencës.
Mevlan Ademi, një nga iniciatorët për dhënien e provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe, e vlerësoi këtë hap si një moment historik për bashkëpunimin dhe përfaqësimin më të fuqishëm të interesave të studentëve shqiptarë në vend.
Takimi u konsiderua si një hap i rëndësishëm drejt forcimit të dialogut studentor dhe unitetit mes universiteteve shqiptare në Maqedoninë e Veriut.





