Anëtarësimi I Kosovës në UNESCO ( United Nations Educational, Scientific and Cultural Organization – Organizata e Kombeve të Bashkuara për Arsim, Shkencë dhe Kulturë ),pa dyshim do të jetë rrjedhë e të gjitha përpjekjeve të saja që është duke i bërë për respektimin e të gjitha normave,standardeve dhe ligjeve ndërkombëtare në fushë-veprimtarinë voluminoze që përfshihet në këtë organizatë të rëndësishme. Do të fokusohem posaçërisht në promovimin dhe mbrojtjen e trashëgimisë kulturore të njerëzimit,edhe fushat tjera që i ka kompetenca kjo agjenci e rëndësishme e OKB-së,e kanë rëndësinë e vet. Plotësisht jemi të vetëdijshëm për rëndësinë e bashkëpunimit dhe marrjen e përgjegjësive për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore në Kosovë.
Nuk mundemi të mburremi se në vitet e pas luftës e kemi trajtuar ashtu si duhet trashëgiminë kulturore në tërë territorin e Kosovës. Ende pas 16 vite ne operojmë me listë të përkohshme të objekteve të trashëgimisë,nuk kemi arritur të kemi listën e plotë të përhershme. Këto toka janë sunduar nga romakët, bizantinët, venedikasit, bullgarët e së fundi nga serbët. Në këto treva ka funksionuar civilizimi i vjetër autokton i identifikuar që moti me paraardhësit tonë Pellazgët,ma vonë Ilirët e sot Shqiptarët,që i popullojnë këto treva të Ballkanit, të begatshme me monumente individuale dhe tërësi urbane.
Sipas ligjeve aktuale si dhe atyre që rrjedhin nga pako e Ahtisarit, trashëgimia kulturore dhe historike ka trajtim të veçantë për monumentet e trashëgimisë ortodoks serbe. I kemi 45 zona të veçanta të mbrojtura,si dhe ligje speciale për trashëgimin ortodokse serbe në Prizren dhe në Hoqën e madhe. Aq shumë ka anomali në ato ligje sa principi i barazisë,multi-etnicitetit aq shumë i proklamuara,skajshmërisht është bastarduar-degraduar në dëm të popullit shumicë shqiptar dhe feve tjera në Kosovë. Ndarja etnike aq shumë është e qartë pasi vet ne me këto ligje e kemi legjitimuar atë. Harmonia fetare shumë shekullore po tentohet të prishet,objektet fetare asnjëherë nuk iu kanë parapri ndasive. Dihet botërisht se edhe shqiptarët ortodoks kanë jetuar dhe vepruar në këto territore në shekujt e kaluar,dhe kanë lanë gjurma të cilat serbët i kanë përvetësuar si të vetat.
Loja politike kinse me kundërshtimin e Serbisë,që po na servohët që një kohë të gjatë,është lojë e dyshimtë politike,nga ana e të dy shteteve,që po tregon një jo seriozitet para opinionit publik këtu në Kosovë dhe në vendet tjera progresive. Ky anëtarësim i Kosovës në UNESKO pos përfitimeve që do të kemi të gjithë,si një shoqëri “multietnike”,përfituesi ma i madhe do të jetë komuniteti serb,gjegjësisht Serbia pasi mbrojtja e trashëgimisë ortodoks serbe do të përfitoi edhe një “garancion” shtesë,një super kontroll ndërkombëtare. Kriteret për trajtimin e të gjitha monumenteve kulturore tek ne pa dallim feje apo etnie,duhet të jenë unike për të gjitha që jetojnë në Kosovë.
Kundërshtimet dhe ankesat e shtetit serb janë absurde,të pa qëndrueshme,pasi UNESKO i trajton të gjitha monumentet si trashëgimi kulturore të NJERËZIMIT,nuk mundet me pas dallime sipas etnisë e fes,që po e kërkojnë serbët,duke u frikuar nga përvetësimet ë turpshme që i kanë bërë në shekujt e kaluar.
Kjo betejë politike do të përfundoi me pranimin e Kosovës në UNESCO,duhet falënderuar të gjithë vendimmarrësit që lobuan dhe kontribuuan në këtë proces të komplikuar dhe shumë të vështirë. Por tek atëherë do të fillon puna ma e vështirë në implementimin e të gjitha kritereve strikte që kërkohen nga UNESCO. Kjo do të jenë një sfidë e madhe për institucionet tona të brishta, që merren me trajtimin e trashëgimisë kulturore dhe historike.
Duke u nisur nga ajo se si e kemi trajtuar këtë problematik në vitet e pas luftës është reale që të kemi skepticizëm të madh. Nevojitet angazhim i madh tërësisht ndryshe se sa deri me tani. Duhemi kuptuar se UNESCO nuk ka shkop magjik,nuk është institucion financiar që do të na zgjidh të gjitha kërkesat tona. Nuk duhet pritur vetëm donacione,pa i arsyetuar ato me ekspertizë dhe punë profesionale e cila deri me sot na ka munguar.
Nga ne pritet që shteti ynë si anëtar fuqiplotë i UNESCO-s të tregoi një seriozitet maksimal,të tregoi nivelin e përkushtimit, mënyrën e trajtimit, mekanizmat e menaxhimit, në ndarjen e fondeve realiste për mbrojtjen dhe restaurimin apo renovimin e objekteve të cilat kanë hyrë në Listën e Trashëgimisë botërore.
Do ta kemi obligim që urgjent ta kompletojmë listën e përhershme të objekteve,pas një procesi detal të inventarizimit të gjitha pasurive kulturore në tërë Kosovën, e cila do të plotësohet me monumente të reja të hulumtuara në vazhdimësi. Trajtimi i këtyre objekteve apo komplekseve duhet me qenë prioritet si në aspektin e rehabilitimit të tyre (planet e konservimit),ashtu edhe në aspektin e kompletimit të infrastrukturës rrugore, sinjalizimit, rregullimit të trotuareve dhe të shtigjeve për këmbësor.
Një çështje është e një rëndësie të veçantë e kjo është shkollimi i ekspertëve të rinj,dhe trajnimet intensive të kuadrit ekzistues që merret me trashëgimi. Kapacitetet njerëzore momentale janë të pakta,të pa specializuara në punë restauruese,nuk janë të stimuluar materialisht,iu mungon eksperienca në fushën e planifikimit hapësinor dhe ati urban,në menaxhim,rehabilitime,promovime turistike etj.
Se cila është rëndësia e trajtimit dinjitoz të trashëgimisë kulturore dhe historike me duket e tepërt me e potencuar. Vetëm ata të cilët nuk e njohin rëndësinë historike të ekzistimit të kësaj pasurie,e ndërlidhur ngushtë me identitetin urban të vendbanimeve tona në Kosovë mundet të mendon dhe vepron ndryshe. Në shikim të parë kjo duket e pa rëndësishme,shumë objekte kulturo historike edhe që ishin nën mbrojtjen e shtetit,në mënyrë sistematike në gjashtëmbëdhjetë vjetshin e fundit janë rrënuar. Sa lehtë e anashkalojmë,e harrojmë ekzistencën tonë në këto hapësira. Gjithnjë nuk e kemi vlerësuar të kaluarën tonë e cila ma së miri identifikohet me objektet, të cilat çdo shoqëri në mënyrë institucionale i ruan për të treguar dhe dokumentuar lashtësinë e vet, e ne mu këto vlera historike dhe arkitektonike i kemi zhdukur përpara,uroi që këto veprime vandale do të jenë e kaluar pas anëtarësimit në UNESCO.
Kosova ka çka ti ofron kulturës botërore,pos monumenteve të ndryshme fetare dhe civile,ajo i ka edhe dy komplekse të studiuara,të një rëndësie të veçantë arkitektonike,urbanistike dhe historike.
- Qendra historike e Prizrenit është një kompleks i njohur edhe më parë nga UNESCO e cila kishte bërë një vlerësim në vitin 1975,pas kërkesës e institucioneve të kohës në vitin 1972,për ta përfshirë Prizrenin në Listën Botërore të trashëgimisë.
- Çarshia e madhe e Gjakovës,është një kompleks disa herë i rehabilituar gjatë historisë,si rezultat i djegies së saj. E ka një veçori të veçantë si një tërësi urbane unike në Ballkan. Është ndërtuar dhe zhvilluar para disa shekujve,funksionon edhe në ditët e sodit. Përmbajtjet e ndryshme shërbyese,tregtare,prodhuese,fetare e të tjera, bashkëveprojnë në mënyrë perfektë me banimin si një tërësi atraktive urbane.
Këso pasurish të mëdha historike kemi edhe në pjesët e tjera të Kosovës,duhet angazhim ma i madh që ky thesar,kjo trashëgimi të jetë një nga prioritetet e shtetit tonë, e jo të na ngjanë si me Shqipërinë,kur Komiteti i Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s, në Sesionin e 39 –të mbajtur në qershor – korrik 2015 në Bon,pasi vlerësoi progresin e arritur në menaxhimin e sitit të Gjirokastrës dhe Beratit gjatë dy viteve të fundit, vendosi në mënyrë unanime që kjo pasuri mos të përfshihet në Listën e Trashëgimisë Botërore në Rrezik.
Autori është ish-Kryetar i Këshillit për Planifikim Hapësinor të Kosovës (KPHK),