Nga Genta Abdiji
“Vajza e vargjeve”, ka buruar nga fëmijëria ime e hershme. Ishte koha kur shumë e vogël frymëzohesha nga përrallat që m’i dhuronin prindërit e mi, nga mësuesja e klasës së parë që besonte shumë në dashurinë time ndaj letërsisë, nga një shkrimtar i rrethinës sonë që më surprizonte me libra, dhe nga gjyshja ime e dashur, që më mbështeste pa fund.
Së pari me përpilime të njoma, të vockla e të pakuptimta ndonjëherë, arrita deri në pikën kur fillova t’i botoja nëpër revista, pastaj duke marrë pjesë në festivale shkollore dhe aktivitete të shumta jashtëshkollore, u binda që kjo dashuri kishte zënë rrënjë dhe se ishte detyrë e imja jetësore që ta realizoja.
Mbase edhe nga mosha ime, unë nuk munda ta botoja më parë, por u binda që në çastin kur shpirti yt e ndjen, atëherë është koha e duhur.
Dhe jam e lumtur që e mbajta fjalën e dhënë më vete, dhe se jetës sime i dhurova diçka të çmuar që do e kem përjetë.
Kjo ëndërr më ndërtoi mua, apo më mirë do thoja, ne e ndërtuam njëra tjetrën.
Libri i ndarë në dy kapituj poezish, flet për dy periudha të jetës sime:
“Gonxhe”, fëmijëria, e “Mjaltë e verem jete”, adoleshenca.
Nën mbresa dhe trishtime, nën metamorfozën time shpirtërore në disa vite, do doja t’i thosha gjithkujt që e lexon këtë, se je ti ai që e bën veten tënde të gëzojë me gjërat që ti do, andaj puno për ato gjëra, sa të mëdha e të vogla të jenë ato. Sepse ato vlejnë dhe ti vetë, je një vlerë e bukur më vete!