Me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Gruas dhe 30-vjetorin e Deklaratës së Pekinit dhe Platformës për Veprim, Zyra e UN Women në Maqedoninë e Veriut, në bashkëpunim me Postën e Maqedonisë së Veriut, prezantojnë vulë postare përkujtimore.
Ky gjest simbolik vë në pah përkushtimin e vendit ndaj barazisë gjinore dhe ndjekjes së vazhdueshme të mundësive të barabarta për gratë dhe vajzat.
Vula postare, e cila do të përdoret ekskluzivisht më 8 mars, është krijim i dizajneres dhe feministes së talentuar, Nita Haxhihamza Gashi. Dizajni shfaq një grusht të ngritur të një gruaje – simbol i vendosmërisë, qëndrueshmërisë dhe kërkesës për të drejtat e grave – krahas numrit 30, që nënkupton tre dekada përparim dhe veprim të vazhdueshëm nga miratimi i Platformës së Pekinit.
“Deklarata e Pekinit është themeli për formësimin e politikave që avancojnë barazinë gjinore në nivel global dhe në vendin tonë”, tha Vesna Ivanoviq-Kastared, udhëheqëse e Zyrës së UN Women në Maqedoninë e Veriut.
Kjo vulë postare përkujtimore, siç theksoi ajo, nderon angazhimet e ndërmarra që nga Konferenca e Katërt Botërore për Gratë në Pekin dhe shërben si një kujtesë për progresin e arritur, si dhe për sfidat që vazhdojnë të ekzistojnë dhe nevojën për një qasje gjithëpërfshirëse dhe për ndërhyrje të synuara për të kapërcyer barrierat dhe për të përshpejtuar progresin drejt barazisë gjinore dhe fuqizimit të grave, duke siguruar arritjen e Objektivave për Zhvillim të Qëndrueshëm deri në vitin 2030.
Siç bëhet e ditur në kumtesën e UNWomen, nisma është gjest për të nderuar të gjitha gratë dhe vajzat, duke përforcuar përgjegjësinë kolektive për të mbrojtur të drejtat e tyre dhe për të përforcuar zërin e tyre. Dizajni i vulës postare komunikon vizualisht forcën e lëvizjes feministe dhe rëndësinë e vazhdimit të vrullit në arritjen e ndryshimeve transformuese.
“Kjo vulë postare është një kujtesë e vlefshme se barazia gjinore nuk është vetëm një çështje e grave, por është një përgjegjësi kolektive. Tridhjetë vjet pas Deklaratës së Pekinit, ne duhet të vazhdojmë të kapërcejmë barrierat, të riformojmë politikat dhe të sigurojmë që çdo grua dhe vajzë të ketë mundësinë të përparojë. Përparimi i grave është përparim për të gjithë” theksoi Dimitar Dimitrovski, koordinator për komunikim dhe menaxhim të njohurive pranë Zyrës së UN Women në Maqedoninë e Veriut.
Me këtë vulë postare nderohen të gjithë që hapën rrugën e që vazhdojnë të luftojnë, si dhe brezat e ardhshëm që meritojnë një botë më të drejtë dhe më të barabartë.
Derisa bota përkujton Ditën Ndërkombëtare të Gruas, kjo nismë inkurajon reflektim mbi arritjet e 30 viteve të fundit, e njëkohësisht bën thirrje për angazhim dhe veprim të ripërtërirë për të siguruar që asnjë grua apo vajzë të mos mbetet pas, bëjnë të ditur nga UN Women.