Forcat ukrainase pretendojnë se të hënën kanë arritur me sukses të shkatërrojnë sistemin raketor rus S-300, me armët perëndimore brenda territorit rus.
“Po digjet bukur. Është S-300 rus, në territorin e Rusisë. Dita e parë e sulmit pas marrjes së lejes për përdorimin e armëve perëndimore në territorin e armikut”, ka shkruar në Facebook, ministrja Iryna Vershchuk përbri fotografisë së sistemit të shkatërruar raketor rus.
Ky veprim vjen vetëm një ditë pasi presidenti amerikan Joe Biden i dha leje Ukrainës të kryej sulme të kufizuara brenda territorit rus duke përdorur armët amerikane, derisa disa vende evropiane kanë hequr këto kufizime sesi të përdoren armët.
Mbetet e paqartë nëse armët e përdorura në sulm që i përshkroi Vereshchuk, ishin armë të prodhuara në Shtetet e Bashkuara.
Në anën tjetër, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka mirëpritur vendimin e presidentit amerikan Joe Biden që të lejoj të kryhen sulme në territorin rus, që sipas Zelensky do t’ju ndihmojnë të mbrohen në rajonin e Kharkivit.