E në një vjetorin e nisjes së invazionit rus në Ukrainë, në Shkup u mbajt edhe një konferencë e titulluar “Ukraina, vit i heroizmit” e organizuar nga Ambasada e Ukrainës dhe “Civil”. Në të morën pjesë Presidenti Stevo Pendarovski, kryeparlamentari Talat Xhaferi, ambasadorja e Ukrainës në vendin tonë Larisa Dir, zëvendëskryeministri Bojan Mariçiq dhe ministrja e mbrojtjes Sllavjanka Petrovska. Presidenti i shtetit u shpreh se asnjë agresion nuk mund të justifikohet. Kryetari i Kuvendit tha se është kryetari i parë i Kuvendit nga rajoni, i cili shkoi në Ukrainë, dhe që personalisht dhe institucionalisht ka shprehur mbështetjen për popullin dhe institucionet ukrainase.
“Nuk ka dilema se Ukraina tashmë është fitimtari moral i këtij konflikti sepse ka pasur sukses në kauzën e saj që ta bashkojë botën demokratike i cili tregoi solidaritet të paparë dhe mbështetje në kundërshtimin e shkeljes së të drejtave të njeriut dhe lirisë së tjetrit. Për të gjithë ata që mendojnë me kokën e tyre, nuk ka asnjë dilemë se agresioni rus është luftë e një diktature ndaj një demokracie.”- deklaroi Stevo Pendarovski, President.
“Jemi dëshmitarë të zgjimit të aspiratave të vjetra, të fjetura apo thjesht të heshtura në dukje. Jemi të vetëdijshëm se lakmia dhe aspiratat për të rrëmbyer, përvetësuar të tjerët, ushqehen në mënyra delikate. Thonë se kutia e Pandorës është hapur dhe kështu krijohet një alibi për çdo sjellje të mëvonshme të pa civilizuar të më të mëdhenjve, ose jo aq të mëdhenj, por me mbështetjen e forcave shkatërruese.”- tha Talat Xhaferi, Kryetar i Kuvendit.