Ukraina po bëhet gati për një ofensivë të re në frontin e lindjes derisa forcat e Rusisë tërhiqen nga paralagjet e shkatërruara të Kiev për t’u rigrupuar dhe intensifikuar sulmet përreth rajoneve të Donbas, transmeton Gazeta Metro.
Sulmet ajrore të Rusisë tani janë të përqendruara kryesisht në lindje të Ukrainës derisa forcat ruse po provojnë të rrethojnë trupat në ato rajone, sipas këshilltarit të presidentit ukrainas Oleksiy Arestovych.
Një evakuim masiv i civilëve pritet të nisë nga qarqet lindore të Ukrainës ku të parët janë qytetet Slovyansk, Kramatorsk dhe Severodonetsk. Sipas raporteve të fundit rreth 3 milion civilë pritet të evakuohen nga ky rajon. Qyteti Slovyansk përflitet të jetë një prej qyteteve që pritet të sulmohet nga rusët në përpjekje për të rrethuar rajonin e Donbas nga Izyuim i sapo pushtuar .
Sipas ministrisë ruse të mbrojtjes ata kanë përdorur predha balistike për të shkatërruar katër depo karburantesh në qytetet ukrainase të Mykolaiv, Kharkiv, Zaporizhzhia dhe Chuhuiv. Sipas tyre këto depo shfrytëzoheshin nga Ukraina për të furnizuar trupat afër qyteteve të Mykolaiv dhe Kharkiv dhe në rajonin e Donbas në juglindje të vendit.
Para tërheqjes nga veriu i Ukrainës trupat ruse kanë kryer krime të tmerrshme lufte në disa lokacione, por më i rëndi raportohet të jetë në Bucha. Sipas kryetarit të qytetit Bucha, Anatoliy Fedoruk, i cili i ka thënë DW 90 % të banorëve të vrarë kishin plagë nga plumbat, jo plagë nga shrapneli./gazetametro.net