Rreth dy javë më parë, në një televizion ukrainas ndodhi një ekses kur një gazetar ukrainas, Yuriy Butusov, e grushtoi politikanin po ashtu ukrainas, Nestor Shufrych, i cili është pjesëtar i Platformës Opozitare pro-ruse, partia “For Life”.
Kur u pyet nëse Putini ishte vrasës dhe kriminel, Shufrych refuzoi të dënonte Kremlinin, duke iu shmangur pyetjes dhe në vend të kësaj u përgjigj: “Le të merren autoritetet e Ukrainës me këtë”.
Pjesë e debatit ishte edhe ish-presidenti ukrainas, Petro Poroshenko, i cili kritikoi përgjigjen dhe i tha audiencës: “Ka një agjent rus pikërisht këtu në studio”.
Megjithatë, debati u përshkallëzua më tej kur Butusov iu afrua Shufrychit dhe e goditi me grusht në fytyrë.
Shufrychi u ngrit në këmbë për të luftuar, gjë që rezultoi që dyshja të përfundonin në dysheme ndërsa të ftuarit e tjerë u përpoqën t’i ndanin.
Butusovi më pas e bllokoi Shufrychin duke e kapur për koke në një moment përpara se të dy burrat të shkëputeshin përfundimisht.
Pasi përfundoi sherri, debati rifilloi.
E pikërisht ky politikan është arrestuar sot nga forcat ukrainase. I njëjti, sipas mediave në Ukrainë, është kapur duke i fotografuar postblloqet ukrainase.
“S’ka ndjenja këtu. I paketuar ashtu siç duhet të paketohet. Hetimi paraprak: Armë me numrat e tyre serikë të fshirë. Në përgjithësi, gjithçka është në rregull. Është transferuar në Shërbimin e Sigurisë të Ukrainës”, ka thënë një ish-zyrtar i MPB-së ukrainase, Yurii Biriukov, i pranishëm në vend të ngjarjes.
Edhe një deputet tjetër ukrainas, që po e ndihmon ushtrinë ukrainase të luftojë kundër forcave të Putnit, e ka konfirmuar këtë lajm, duke thënë se “nuk guxon të fotografosh postblloqe ushtarake të Batalionit 206”.
“Kur mendoni se mund të bëni gjithçka, dijeni se do të ndaleni!!! Nëse jeni Shufrichi dhe keni vendosur të fotografoni postet ushtarake të Batalionit 206, do të paketoheni! Nëse keni vendosur që mund të bëni gjithçka, dijeni se 206-ta do t’ju paketojë! Kemi djem të lezetshëm që punojnë profesionalisht”, ka shkruar Oleksandr Pohrebyskyi, veteran i Operacionit të Forcave të Përbashkëta dhe deputet i Këshillit Bashkiak të Kievit.
Lajmi për arrestimin e tij është konfirmuar nga disa burime të pavarura. Ai raportohet se është marrë në pyetje nga ushtarakët ukrainas. Raportohet se ai është në gjendje të mirë shëndetësore. /Zëri