Shpërthimi i një gypi të ujësjellësit në rrugën 37 të Shuto Orizares, ka bërë që për shtatë muaj me radhë banorët e kësaj rrethine të kenë probleme me ujin i cili del nga gypi në rrugë. Banorët thonë se nga Ndërmarrja Publike “Ujësjellës dhe Kanalizim”, secilën herë që gypi shpërthen, ata vijnë e rregullojnë, por vetëm pas disa ditësh problemi rikthehet.
Kështu që sipas banorëve, kjo ndërmarrje duhet të gjejë një zgjidhje afatgjate, siç është vendosja e një gypi të ri. Ndërkaq gjendja e këtillë e rrugës, që e tëra është e mbushur me ujë dhe baltë e bën të vështirë lëvizjen e fëmijëve, të cilët duhet përmes saj duhet të kalojnë për të shkuar në shkollë.
Banor
“Problemi është kështu, ka shtatë muaj. Sa bën problem vijnë e rregullojnë, përsëri ka problem…Problemin e dinë këto të ujësjellësit se si ta rregullojnë, por ata ankohen se nuk kanë financa…Sikur në pushtetin e BDI-së, por edhe secila parti tjetër, nuk ka marrë askush masa asnjëherë këtu. Le të vijë një parti dhe të tregoj çfarë ka punuar për këtë lagje”. Gjithashtu uji që del nga gypi i shpërthyer ka shkaktuar edhe dëme nëpër shtëpitë përreth. Banorët thonë se uji u ka hyrë në shtëpi dhe ju ka dëmtuar shumë pajisje shtëpiake.
Banor
“Komuna për ta ndërtuar këtë kanalizim, nuk ka kushte…Votat i kërkojnë, secilën herë që duhet me dalë me votu vijnë në shtëpi na marrin me veturë…Rruga kur kalojnë fëmijët, gratë, është kush është kur bie edhe shi, duhet ta shesim veturën ta blejmë një traget për të hyrë në shtëpi se bëhet uji 2 metër”.
Banor
“Kemi problem me ujin që ka shpërthyer gypi dhe ka ardhur uji këtu. Lajmërojmë në komunë nuk ka asnjë edhe tek ujësjellësi po ashtu nuk vinë për ta rregulluar, vijnë pak punojnë, pak e lënë. Nuk jemi duke ditur se çfarë të bëjmë”. Kryeshefi i Ndërmarrjes Publike “Ujësjellës dhe Kanalizim” për rajonin Shutkë dhe Çair, Isen Ferati, thotë se ata e kanë zgjidhjen por banorët janë pikërisht ata që po i pengojnë për ta bërë punën e tyre.
Isen Ferati, NP “Ujësjellës dhe Kanalizim”
“Popullata këtu që jetojnë nuk na lejojnë edhe pse ne e gjetëm një zgjidhje nëpërmjet drejtorit gjeneral, mirëpo kur e filluam punën doli popullata këtu, secili e tregonte mendimin e vet, nuk na lejonin që ne ta kryejmë punën tonë që duhet ta kryejmë. Zgjidhje është e gjetur dhe është shumë reale, mirëpo për shkaqe objektive në periudhën e kaluar, popullata e rrugës 37 kanë pasur probleme me ujësjellësin, për këtë shkak ata na thanë që në secilën kyçje nuk na lejojnë se thonë ne 20 vite pa ujë, tash kemi ujë, të mos dalë ndonjë problem më i keq”. Të njëjtën e thonë edhe nga Komuna e Shutkës. Suad Memeti u shpreh se kur banorët do t’i lejojnë ata që të punojnë, atëherë do të ketë zgjidhje të problemit.
Suad Memeti, Komuna e Shutkës
“Ky problem i këtij ujësjellësi ishte zgjedhur para 20 ditësh, por kemi problem me banorët që nuk na lënë që të lidhemi tek i njëjti gyp, që është ky gyp i dëmtuar para 50 vitesh që e kanë vendosur…nuk na lënë sepse frikësohen se nuk do të kenë ujë”. Ndërmarrja Publike “Ujësjellës dhe Kanalizim” kishte dalë në terren dhe po bisedonin me banorët për të arritur ndonjë zgjidhje, mirëpo akoma nuk ka një afat kohor konkret se kur do të zgjidhin këtë problem./shenja/