Mungesa e ujit të pijshëm në fshatin Debresh të Komunës së Gostivarit ka qenë temë diskutimi në Këshillin Komunal. Këshilltarët nga ky fshat ngritën zërin për problemin me të cilin banorët përballen prej dekadash, duke kërkuar veprime konkrete dhe zgjidhje sa më të shpejtë.
Këshilltarja e BDI-së, Azra Nesimi Bajrami, kërkoi që institucionet të japin sqarime të detajuara për gjendjen aktuale, shkaqet e mungesës së ujit dhe hapat që po ndërmerren për zgjidhjen e këtij problemi. Sipas saj, problemi bëhet edhe më i madh gjatë verës, kur në vendlindje kthehen mërgimtarët, duke kërkuar një angazhim të përbashkët për një zgjidhje afatgjatë. “Në këto ditë të nxehta të verës, kur numri i banorëve rritet me ardhjen e mërgimtarëve, nevoja për një zgjidhje bëhet më urgjente. Jam e vetëdijshme se komuna përballet me shumë sfida dhe se zgjidhja e problemeve infrastrukturore kërkon kohë dhe mjete financiare. Megjithatë, kjo çështje meriton vëmendje të veçantë dhe një angazhim të përbashkët. Kërkoj që Këshilli dhe qytetarët të informohen për gjendjen aktuale dhe shkaqet e problemit. Të angazhohen ekipe profesionale për të identifikuar dhe adresuar pengesat në furnizimin me ujë. Të shqyrtohen mundësitë financiare dhe teknike për një zgjidhje sa më të shpejtë dhe afatgjatë. Gjithashtu, të sigurohet komunikim i drejtpërdrejtë me banorët për masat që merren”, tha këshilltarja Azra Nesimi Bajrami.
Ndërkaq, këshilltari nga koalicioni VLEN, Alush Halili, kërkoi veprime konkrete dhe të menjëhershme nga Komuna e Gostivarit. Ai tha se protesta e banorëve nuk ishte protestë politike, por një thirrje e qytetarëve për të siguruar një të drejtë themelore.
Halili kërkoi që sa më shpejt të përgatitet projekti për ndërtimin e sistemit të ujësjellësit për fshatin Debresh, të sigurohen mjete financiare nga institucionet kompetente dhe të dilet para qytetarëve me afate të qarta se kur dhe si do të zgjidhet përfundimisht problemi. “Kërkoj nga Komuna e Gostivarit që të ndërmarrë menjëherë hapa konkretë. Hapi i parë duhet të jetë përpilimi i projektit për ndërtimin e sistemit të ujësjellësit për fshatin Debresh. Ky projekt duhet të ketë afate të qarta dhe të sigurohen mjete për financimin e tij. Kërkoj që kryetari i komunës dhe shërbimet kompetente të japin një përgjigje të qartë para këtij këshilli dhe para qytetarëve se kur do t’i fillojnë procedurat dhe kur pritet të zgjidhet përfundimisht ky problem jetik. Banorët e Debreshit nuk kanë nevojë për arsyetime, por presin veprime konkrete dhe një zgjidhje që u është mohuar për shumë vite. Është koha të tregohet se ky këshill është në shërbim të qytetarëve dhe e kupton rëndësinë e këtij problemi, sepse uji i pijshëm nuk është privilegj, por një e drejtë themelore e çdo qytetari”, tha këshilltari Halili.
Ndërkaq, këshilltari i Aleancës për Shqiptarët, Demirali Shaini, tha se projekti për ujësjellësin e Debreshit tashmë është përgatitur nga Komuna e Gostivarit dhe se janë siguruar mjete nga Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor.
Problem më vete, sipas tij, është edhe keqpërdorimi i ujit, duke kërkuar kontrolle më të shpeshta nga autoritetet kompetente. “Punohet intensivisht dhe shpresojmë që punimet të përfundojnë në një afat sa më të shkurtër, me qëllim që furnizimi me ujë të pijshëm për Debreshin dhe vendbanimet e tjera të mos jetë më problem. Aktualisht po punohet në terren”, tha këshilltari Shaini.
Ai ftoi këshilltarët që të dalin në terren dhe t’i shohin nga afër punimet. Po ashtu, kërkoi nga funksionarët dhe partitë politike që të mos e shfrytëzojnë këtë situatë për përfitime politike.
Mbështetje për gjetjen e një zgjidhjeje ofroi edhe kryetari i Këshillit të Komunës së Gostivarit, Valdet Xhaferi. Ai tha se ekipet janë në terren dhe po punojnë në sanimin e defektit në rrjetin e vjetër të ujësjellësit.
Ditë më parë, banorët e fshatit Debresh protestuan para Komunës së Gostivarit në shenjë pakënaqësie për shkak të moszgjidhjes së problemit me ujin e pijshëm. Gjatë protestës, ata dëmtuan edhe derën hyrëse të Komunës së Gostivarit. (koha.mk)


