Studentët e Universitetit të Evropës Juglindore në vitin e ri akademik 2020-21, mësimin do ta ndjekin në kampus dhe online. Mësimdhënia do të jetë me sistem hibrid, ku ¼ e mësimdhënies do të jetë online për të gjithë studentët qoftë brenda vendit ashtu edhe ata që jetojnë jashtë Maqedonisë së Veriut. Pjesa tjetër, ose ¾ e procesit mësimor do të zhvillohet me prani fizike.
Rektori i Universitetit të Evropës Juglindore, Akad. Prof. Dr. Abdylmenaf Bexheti, thekson se kampusi i përmbush të gjitha kriteret për fillimin e mësimdhënies në kushte të pandemisë, por edhe në mënyrë plotësuese është punuar për krijimin e kushteve optimale për mësim me prani fizike të studentëve.
“Orari i mësimdhënies dhe angazhimi akademik do të jetë me format hibrid, që nënkupton prani fizike në të dy kampuset, në Tetovë dhe Shkup, sipas protokolleve shëndetësore dhe mundësi të shkurtimit të orëve mësimore dhe mbulimin e tyre nëpërmjet mësimdhënies online.”, thotë Rektori Bexheti.
Risi për vitin e ri akademik është edhe përmirësimi i pajisjeve teknologjike, gatishmëria që çdo lëndë të ofrohen sipas sistemit hibrid, nëpërmjet sistemit tonë elektronik për menaxhimin e mësimdhënies, angazhimit të vazhdueshëm të kuadrit për tu përshtatur me materialin mësimor dhe ofrimin cilësor të mësimdhënies online.
Hapësirat për mësimdhënie dhe i gjithë Kampusi në Tetovë dhe Shkup në tërësi janë organizuar dhe shënuar në përputhje me masat dhe rekomandimet e Ministrisë së Shëndetësisë së RMV-së për prani fizike.
“Tashmë të gjithë e njohin Kampusin e UEJL-së në Tetovë, i dinë përmasat e tij dhe e njohin përkushtimin tonë për tu shërbyer studentëve. Për ne, në radhë të parë është shëndeti i studentëve dhe stafit. Jemi kujdesur që askush mos rrezikoj shëndetin dhe njëkohësisht të merr shërbimin më cilësor të mundshëm qoftë akademik, qoftë administrativ”, thekson Rektori Bexheti.
“Studentët, të cilët për shkak të kushteve të pandemisë Kovid – 19, nuk do të munden të marrin pjesë fizikisht në ligjërata, do të kenë mundësi që ligjëratën ta ndjekin drejtpërdrejt dhe online nëpërmjet platformës së sistemit për menaxhimin elektronik të mësimdhënies dhe do të kenë qasje edhe në të gjitha materialet mësimore në formë elektronike. Janë krijuar edhe shumë forma të reja të vlerësimit, duke i dhënë rëndësi ndërveprimit në tërë këtë proces.”, thotë Prorektori për Planifikim Akademik dhe Digjitalizim, Prof. Dr. Vlladimir Radevski.
Stafi akademik dhe ai administrativ gjatë punës së tyre i zbaton të gjitha protokollet shëndetësore të miratuara nga vetë organet e Universitetit në përputhje me rekomandimet e autoritetet shtetërore shëndetësore dhe të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës së RMV-së.