“Ky bashkëpunim do të përfshijë zhvillimin e projekteve dhe iniciativave të përbashkëta, shkëmbimin e praktikave më të mira dhe eksplorimin e fushave të tjera të interesit të ndërsjellë në arsim dhe kërkim shkencor.” – theksoi Rektori i UEJL, Akad. Prof. Dr. Abdylmenaf Bexheti.
Ceremonia zyrtare e nënshkrimit u zhvillua më 1 korrik 2025 në kampusin e UEJL në Tetovë, gjatë vizitës së parë të znj. Kathy Harvey – Associate Dean për Rrjete Globale dhe Inovacion në Saïd Business School. Marrëveshja u nënshkrua nga Rektori i UEJL, Akad. Prof. Dr. Abdylmenaf Bexheti dhe nga Prof.Dr. Hyrije Abazi-Alili, Dekane e Fakultetit të Biznesit dhe Ekonomisë. Të pranishëm në takim ishte edhe Rektori i zgjedhur, Prof. Dr. Sadudin Ibraimi dhe Prorektorja për Bashkëpunim Ndërkombëtar dhe Hulumtime, Prof. Dr. Besa Arifi.
Gjatë vizitës së saj në UEJL, znj. Harvey zhvilloi një agjendë të pasur aktivitetesh, përfshirë takime me drejtues të universitetit, studentë dhe anëtarë të stafit akademik.
Në ligjëratën e mbajtur me studentët znj. Harvey ndau përvoja dhe njohuri për tendencat më të fundit në edukimin global të biznesit, rolin e inovacionit dhe nxitjen e ndërmarrësisë në epokën moderne. Ligjërata u pasua me një sesion interaktiv pyetje-përgjigje, duke mundësuar një dialog të drejtpërdrejtë dhe frymëzues me pjesëmarrësit.
Falënderojmë znj. Kathy Harvey, Dr. Jonathan Reynolds, Prof. Hyrije Abazi dhe Prof. Besa Arifi për përkushtimin në realizimin e këtij bashkëpunimi. Një falënderim i veçantë i drejtohet znj. Selvie Shaqiri për rolin e saj në negociatat profesionale që çuan në këtë marrëveshje.
Ky partneritet shënon një hap të rëndësishëm në ndërkombëtarizimin e mëtejshëm të UEJL dhe zgjerimin e bashkëpunimit me njërën ndër shkollat më të njohura të biznesit në botë – Saïd Business School, University of Oxford.