Kreu i VMRO-DPMNE-së, Nikola Gruevski sot dhe dje është dashur të paraqitet në pyetje në Specialen. Alsat mëson se ai është ftuar për rastet Titanik dhe TNT. Atij i është caktuar termini i ri për t’u paraqitur tek Katica Janeva pasi dje përmes Stambollit udhëtoi për në Maltë në takimin e partive evropiane popullore. Udhëtimi zyrtar i Gruevskit shkaktoi reagime edhe në rrafshin diplomatik. Ministria e Jashtme tashmë dy ditë heshtë pse ambasadori i Maqedonisë në Turqi, Zvonko Mucunski ka pritur Gruevskin në aeroportin e Stambollit. Gjithashtu ngel enigmë se në çfarë roli ai është paraqitur në aeroportin “Ataturk”, por edhe sa i kushton shtetit udhëtimi i tij.
Mucunski dje i drejtoi gazetarët që përgjigje të kërkojnë në MPJ por në këtë dikaster edhe sot nuk japin përgjigje. Ngel e hapur çështja pse personi Zoran Popoviq, i cili në faqen e tyre zyrtare figuron se është person i angazhuar për protokollin e kryetarit të qeverisë, e ka shoqëruar Gruevskin i cili tani është kryetar i VMRO-DPMNE-së. Rrugën për në Maltë, Gruevski e vazhdoi dje pas aterrimit në Stamboll, edhe pse në faqen zyrtare të Kongresit të PEP, shkruan se fillon të mërkurën. Vendi i tij në Parlament dje ishte i zbraztë, ndërsa në seancë ishte prezent kryeministri Dimitriev, emri i të cilit figuron pjesëmarrës si kryeministër në Kongres.
Në faqen zyrtare thuhet se në delegacionin partiak të VMRO-DPMNE-së do të marrin pjesë gjithsej 5 anëtarë. Me njoftim reaguan nga VMRO DPMNE duke thënë se në Maltë njëkohësisht ka Kongres dhe Samit. Në Samit janë ftuar shefat e shteteve dhe qeverive nga partitë që janë pjesë e PEP dhe atje do të paraqitet kryeministri Dimitriev, ndërsa në Kongres marrin pjesë delegacione dhe funksionarë ku do të jetë Gruevski i shoqëruar nga delegacioni i partisë.