Shkup, 1 qershor
Që në ekzistimin e Republikës së Maqedonisë, institucionet e shtetit kanë qenë të përfaqësuar edhe nga shqiptarët. Por, me shumë sfida e barriera.
Gjatë këtyre viteve kemi kaluar nga sistemi një partiak në shumë partiak. Në praktikë kjo ka ecur shumë ngadalë, nga një sistem në një sistem tjetër, sot demokratik.
Sipas analistit Alajdin Demiri, pozita e individit shqiptar, qoftë politikan apo diçka tjetër dhe pozitën e shqiptarëve, e sheh si një konflikt bazik. “Po të bëjmë një vështrim si ka funksionuar sistemi i kaluar, do të shohim se ai ka funksionuar me më pak persona shqiptar, të cilët kanë qenë nën kontroll të komunistëve. Dua të them se pozita e individit shqiptar ka një konflikt ndërmjet vete dhe nuk shpreh realitetin shqiptar, e njëjta ndodhën, por në mënyrë pak më të avancuar, më të ndryshme. Pozita e individit shqiptar në pluralizëm, tash në Maqedoni e vë individin shqiptar në një konflikt. Kjo nisën kur individi shqiptar merr pozitën politike, udhëheqëse, në një mënyrë ose tjetër të drejtpërdrejtë e suprimon pjesën e shqiptarisë. Si bëhet kjo? Atë ia suprimojnë ligjet, aktet vendimet, që në fillim ku edhe është aktuale, sot kushtetuta e suprimon”, thotë Demiri. Ai shton se nëse e marrin si shembull kryetarin e parlamentit të Maqedonisë, ligjet dhe vendimet ai mund të funksionojë si shqiptar deri diku. Dhe se këta funksionar politik e pranojë pozitën e politikanit, por nuk kanë fuqi, ta ndryshojnë ose avancojnë statusin e të qenët shqiptar. “Është pozita ekuivalente që shqiptari jo se nuk dëshiron të veprojë për interesat e shqiptarëve, gjithsesi atë dëshirojnë ta bëjnë, por problem i konceptit është në esencë se nëse e analizojmë ai paraqitet si “politikan maqedonas”, për arsye të koncepteve ligjore dhe politike. Politikani dhe pozita e shqiptarit nuk krijon mundësi avancimi për identitetin kombëtar, por krijon mundësi për avancimin e identitetit shtetëror, në këtë rast maqedonas”, thotë Demiri për Almakos.
Ai mendon se në këtë sferë politike se kush ka udhëhequr më mirë nga pozita e shqiptarëve, është se mund të ofendohen të gjithë, por veçon Arbër Xhaferin si më të përpiktin. “Fatkeqësia e tij është se nuk u fut në ekzekutiv, por ai mbeti si udhëheqës, lider që përgjigjet me politikën. Ai është edhe shembulli udhëheqës. Politikanët e tjerë, të cilët merren me pozitat ekzekutive e humbin politikën”, thotë Demiri, i cili mendon se në Maqedoni funksionon që, politikanët derisa janë në opozitë janë të mrekullueshëm, ndërsa kur bëhen pjese e qeverisë ose e pushtetit menjëherë transformohen ndryshe. Por, kjo pak mund të dallohet, se ata shndërrohen, por mundësitë dhe kornizat janë të tillë.
Nga ana tjetër studiuesi i çështjeve politike Ismet Ramadani thotë se gjatë kësaj shtëpie demokratike, të thuash, të Maqedonisë, partitë politike shqiptare kanë patur mundësi që të organizohen politikisht dhe të shfrytëzojnë potenciale dhe kapacitetin e tyre politik, në të gjitha qeveritë, të cilat ata kanë marrë pjesë. “Ekziston një vlerësim që politika shqiptare në Maqedoni, nuk mund të mburret me një sukses të kënaqshëm sa i përket përfaqësimit të shqiptarëve, sepse në qoftë se strukturat politike shqiptare për këto vite nuk kanë arrit akoma, pra, të jenë të barabartë me maqedonasit, atëherë nuk mund të lavdërohet asnjë subjekt politik shqiptar, se i’a ka arritur qëllimit, sepse fillimin shqiptarët e kanë patur qëllim, përmbushjen e kërkesave, para zgjedhësve dhe ndërkombëtarëve. Fatkeqësisht, që strukturat politike në vend që të ngriten politikisht dhe t’i shfrytëzojnë situatat aktuale politike, por ata në fakt u hodhën në përqafim të interesave grupore dhe individuale dhe nuk arritën që të realizojnë synimet e shqiptarëve në Maqedoni”, thotë Ramadani për Almakos.
Për arritjet e shqiptarëve në udhëheqje, gjatë këtyre viteve Ramadani thotë se në vitet 90’ta arritjet kanë qenë që të përmirësohet arsimi, përfaqësimi i shqiptarëve në institucione, të dëgjohet dhe artikulohet synimi i shqiptarëve nëpërmjet subjekteve të tyre. Mandej, ai shton se kemi vitet pas 2001 dhe këndej, pra me një Marrëveshje Kornizë të Ohrit (MO) të mbështetur fuqishëm nga faktori ndërkombëtar, ku fatkeqësisht subjekti shqiptar, që qëndroi më shumë në qeveri, nuk e shfrytëzoi këtë mbështetje ndërkombëtare. Këtë dokument të nënshkruar për të fituar ato të drejta të cilat, në mënyrë taksative ishin të shkruar në MO, si pjesë e kushtetutës. Gjatë këtyre viteve Ramadani mendon se partia më e mirë dhe më e organizuar politikisht, që ka patur synime të qarta është PPD-ja. Parti, e cila as një ligj, akt, nuk e ka votuar duke u nisur edhe nga kushtetuta, që shkon në dëm të shqiptarëve, por luftën politike e ka bërë pra, edhe me dije e guxim, gjatë viteve të 90’ta, kur kishte situatë ku Kosova ishte e okupuar, Shqipëria ishte në fillet e demokracisë, dhe ai grup parlamentar asnjëherë deri më sot nuk u përsërit si në aspektin kualitativ, në aspektin e guximit politik, për ti artikuluar interesat e shqiptarëve sepse, atëherë ndodhën projektet më të mëdha, ndodhi hapja e Universitetit, ndodhi Ilirida, mos votimi i kufirit të Kosovës në marrveshje me Sërbinë, në shumë aspekte ai grup parlamentar gëzonte shumë autoritet, përshkak të devotshmërisë dhe qasjes për interesa të shqiptarëve, thotë Ramadani.
/Almakos.com
D. Kërluku