Vlorë/ U vetëplagos aksidentalisht me armë zjarri, zbardhet dhe dokumentohet ngjarja.
Arrestohen 36-vjeçari i dëmtuar dhe shoku i tij që fshehu armën e zjarrit dhe nuk kallëzoi ngjarjen.
Më datë 03.10.2025, rreth orës 02:40, në Spitalin Rajonal Vlorë është paraqitur i plagosur në këmbë me armë zjarri, shtetasi O. A., 36 vjeç, banues në Vlorë, i cili ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Nga veprimet e shpejta hetimore të kryera nga Seksioni për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Vlorë, si dhe nga kqyrja e pamjeve të kamerave të sigurisë, rezultoi se ngjarja ka ndodhur në lagjen “Hajro Çakërri”, tek vendi i quajtur “shkallët e varrezave të dëshmorëve”, ku 36-vjeçari ishte vetëplagosur aksidentalisht me armë zjarri të llojit pistoletë.
Gjithashtu, u konstatua se në momentin e ngjarjes ka qenë i pranishëm edhe shoku i tij, shtetasi G. M., 42 vjeç, banues në Vlorë, i cili pas ngjarjes ka kryer veprime për fshehjen e armës së zjarrit dhe së bashku me të dëmtuarin, nuk kanë kallëzuar ngjarjen.
Në vijim të veprimeve procedurale, u bë arrestimi në flagrancë i të dy shtetasve:
• O. A., për veprën penale “Armëmbajtja pa leje”;
• G. M., për veprat penale “Armëmbajtja pa leje”, “Moskallëzim i krimit” dhe “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”.
Punohet për gjetjen dhe sekuestrimin e armës së zjarrit të përdorur në ngjarje.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, për veprime të mëtejshme.