Rikthehen sulmet me tritol në qytetin e Vlorës, ku shënjestër ishte prona e një të ekzekutuari, ndodhur 3 vjet më parë po në qytetin e Vlorës.
E ndërsa policia dhe prokuroria nuk kanë ende një autor për vrasjen e të zotit të biznesit, dje autori i vënies së lëndës plasëse ka qenë krejtësisht i dukshëm në kamerat e biznesit dhe të bizneseve.
Ai shihet teksa lëviz me biçikletë, por në kokë ka një kapuç bluze, që nuk e ka lejuar të identifikohet. Shpërthimi ka ndodhur në të zbardhur, por për fat brenda objektit nuk ka pasur ende punonjës e për pasojë ka pasur vetëm dëme materiale.
Policia ka shoqëruar me dhjetëra persona, ka marrë shumë dëshmi, por ende nuk ka asnjë të arrestuar.
NGJARJA
“The Boss” është lokali që është rihapur vetëm para ka ditësh, në shëtitoren e Vlorës, që iu vendos sasi tritoli në orët e para të mëngjesit të djeshëm. Shpërthimi i fuqishëm u dëgjua rreth orës 06:00, ndërsa policia në vendin e ngjarjes gjeti copat e xhamave të thyera dhe karrige të dëmtuara.
Lokali bëhet me dije se funksiononte si bar, restorant e piceri, në Lungomare dhe ishte në pronësi të familjes së Bledar Birçajt, i cili u ekzekutua me breshëri kallashnikovi në 10 maj të tri viteve më parë në makinën e tij në lagjen “Hajro Çakërri”. “The Boss” rezulton në pronësi të nënës së Bledarit, Resmie Birçaj, që më herët ishte dhënë me qira, por ishte rimarrë në administrim së fundmi nga pronarët, vëllezërit e viktimës së eliminuar. Menjëherë në vendngjarje mbërritën forca të shumta policie, në përpjekje për të zbardhur ngjarjen e rëndë dhe mbledhur provat.
Bashkë me ta erdhën edhe ekspertë të njësisë antieksplozivë, për të përcaktuar sasinë e lëndës plasëse. Pjesa ballore e lokalit është dëmtuar plotësisht për shkak të fasadës prej xhami, i cili është thyer. Hetuesit morën pamjet e kamerave të sigurisë së lokalit, të cilat filmuan autorin e dyshuar të ngjarjes. Me kapuç të zi në kokë autori vjen me biçikletë, lë sasinë e tritolit me fitil të ndezur që shpërthen në 5 sekonda dhe më pas largohet mes pallateve, po me biçikletë. Kamerat në bizneset përreth po ashtu e kanë filmuar. Grupi hetimor po punon për mbledhjen e pamjeve në distancë për të lokalizuar dhe identifikuar autorin.
EKZEKUTIMI
Atentati ndaj Birçajt ndodhi në mes të ditës në Vlorë më 10 maj 2021. Në atë kohë 40 vjeç, Bledar Birçaj ishte në makinë me Granit Deromemaj, ish-efektiv i Antidrogës në Vlorë, më pas i përjashtuar nga radhët e bluve.
E gjithë skena e vrasjes u filmua nga kamerat e sigurisë dhe materialet filmike u publikuan për kohë të gjatë në media, por grupi hetimor nuk gjeti asnjëherë fakte dhe prova të arrestonte ndonjë person. Sapo mjeti i autorëve mbërriti pranë karburantit, dolën 2 persona të maskuar dhe të armatosur, të cilët qëlluan me breshëri mbi 30 plumba në drejtim të shoferit dhe largohen me shpejtësi.
Granit Deromemaj del nga makina dhe largohet me vrap, ndërkohë Birçaj dërgohet në spital ku dhe humbi jetën. 3 vjet e gjysmë më vonë, vrasja e Bledar Birçaj është akoma e pazbardhur dhe pista kryesore e hetimit atëherë u tha se ishin konfliktet e mundshme të tij në Spanjë, prej nga ishte kthyer një muaj para se të ekzekutohej.
/Gazeta Panorama