Dalojnë detaje të reja nga hetimet për ekzekutimin e Fatos Cenajt në Itali, i cili u qëllua në kokë mëngjesin e 8 qershorit dhe ndërroi jetë tri ditë më vonë në spital.
Autoritetet italiane kanë vënë nën hetim një 40-vjeçar, fqinj i viktimës, i dyshuar për vrasje me dashje. Cenaj, një pensionist shqiptar dhe ish-gardian burgu në Shqipëri, jetonte në Fontaniva të Padovës. Konfliktet e tij të vazhdueshme me fqinjin italian për çështje pronësie dhe kamera sigurie dyshohet se çuan në krimin makabër.
Sipas prokurorisë, autori i dyshuar kishte planifikuar gjithçka në detaje: përdorimin e një biçiklete për të mbërritur në vendin e ngjarjes, veshjen e përzgjedhur posaçërisht, si dhe pritjen e viktimës në rrugën ku ai kalonte çdo mëngjes për të shkuar në fermën ku punonte. Ai e qëlloi Cenajn në kokë dhe më pas pastroi skenën e krimit, duke mbledhur edhe gëzhojat për të mos lënë gjurmë.
Fillimisht u dyshua se vrasja mund të kishte lidhje me të kaluarën e Cenajt si gardian burgu, por hetimet e prokurorisë italiane kanë përjashtuar këtë pistë. Zyrtarisht, ngjarja lidhet vetëm me konfliktet mes fqinjëve.