Gjykata e Lezhës ka dhënë dënimet në lidhje me përplasjen me armë të ndodhur në muajin prill të viti 2022 në fshatin Kallmet, ku u përfshi dhe ish kreu i Njësisë Administrative Besnik Simoni.
Ky i fundit u gjet fajtor për veprat penale “Vrasja ne kapërcim të kufijve të mbrojtjes se nevojshme” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit” dhe u dënua me 6 vite e 6 muaj burgim. Ndërsa Altin Marku u dënua me 20 vite burg për veprat penale” “Vrasja me paramendim” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”.
Prokurori i çështjes Françesk Ganaj kishte kërkuar dënimin maksimal me 40 vite burg në total për dy të pandehurit, por trupa gjykuese e përbërë nga gjyqtaret Aurel Arapi, Aldi Kareco dhe Migena Laska ju dha një masë dënimi më të butë me 26 vite e 6 muaj burg në total.
Përplasja me armë zjarri ndodhi mesditën e 1 prillit, në rrugën që lidh fshatin Kallmet me superstradën Lezhë-Shkodër. Fillimisht, Policia raportoi se ishte plagosur në një atentat zyrtari i pushtetit vendor Besnik Simoni, por 4 orë me vonë blutë gjetën të plagosur në një banese në fshatin Kallmet të Lezhës dhe autorin, shtetasin Altin Marku. Pas veprimeve paraprake hetimore, Policia doli në konkluzionin se të dy personat kanë qëlluar në drejtim të njeri-tjetrit dhe për pasojë, ata u vunë në pranga. Por pas 6 muajsh, ish-kreu i Njësisë Administrative të Kallmetit, Besnik Simoni, u lirua nga paraburgimi, pasi Gjykata ndryshoi masën e sigurisë nga ‘Arrest në burg’ në ‘Arrest në shtëpi’.
Por me vendimin nuk u pajtua prokurori i çështjes, Françesk Ganaj, i cili ka bërë ankim në Gjykatën e Apelit në Shkodër, duke kërkuar që i pandehuri të rikthehet në burg. Ndërsa 41- vjeçari Altin Marku vijon të qëndrojë në paraburgim, pasi kërkesat e tij për liri janë rrëzuar nga Gjykata e Lezhës. Në dëshminë e dhënë para hetuesve, Altin Marku ka thënë se kishte qëlluar me armë zjarri për vetëmbrojtje. Por deklarimet e tij nuk i kanë bindur hetuesit, pasi nga dëshmitë e mbledhura në vendin e ngjarjes është konkluduar se ka qenë pikërisht Altin Marku, i cili e ka nisur konfliktin me Besnik Simonin, me të cilin kishin pasur probleme prej më shumë se 1 viti.