A u larguan apo u vetëlarguan anëtarët e të ashtuquajturit “grupi i zjarrit” që u ndanë si fraksion? Pas mbledhjes së mbrëmshme të kryesisë, nga BDI kumtuan se ndjejnë keqardhje për vetëlargimet e disa anëtarëve, duke aluduar në lëshimin e mbledhjes së 1 prillit nga 5 anëtarë.
“Kryesia Qendrore konstaton dhe shpreh keqardhje të thellë për vendimin e pesë anëtarëve të kryesisë për vetëlargim nga Kryesia Qendrore e Bashkimit Demokratik për Integrim, vendim që ata e morën në mbledhjen e KQ në 1 Prill 2023.”- thanë nga Bashkimi Demokratik për Integrim.
Këta anëtarë, siç mësohet, janë figurat kyçe të fraksionit “grupi i zjarrit”, Musa Xhaferi, Izet Mexhiti, Blerim Bexheti, Nevzat Bejta dhe Visar Ganiu. Megjithatë konfirmim zyrtar për këtë nuk ka. Përgjigje nuk morëm as nga zëdhënësi Bujar Osmani e as nga zëvendëszëdhësi Arbër Ademi, ndërsa Musa Xhaferi nga “Grupi i Zjarrit” na tha se nuk kanë asnjë njoftim.
“Për këtë duhet te përgjigjen ato të cilët e kanë lëshuar lajmin! Fraksioni nuk ka asnjë njoftim! Pyeteni zëdhënësin e partisë se kush e shkroi këtë Pamflet? Ne mendimin tonë ndryshe e kemi artikuluar në mënyrë transparente para anëtarësisë dhe publikut! Ka fraksion – grupim joformal brenda BDI! Me statut te partisë nuk parashihet “Vetëpërjashtimi”. Mjerim!”- deklaroi Musa Xhaferi, BDI – fraksioni “Grupi i zjarrit”.
Përndryshe, ditë më parë TV21 raportoi se në një mbledhje të javës së kaluar të kryesisë së BDI-së, pa praninë e “grupit të zjarrit”, anëtarët njëzëri janë shprehur pro mendimit që anëtarët e grupit të zjarrit të shkarkohen nga organet partiake. Po kur kryetari i BDI-së Ali Ahmeti u pyet nëse në mbledhjen e djeshme po diskutohet për shkarkimet, mohoi.
“Nuk ka të bëjë diçka me shkarkime apo me ngarkime, ka të bëjë me konsulta.”- tha Ali Ahmeti, kryetar i BDI.
Krahas keqardhjes për vetëlargimet, siç kumtohet nga partia e Ahmetit, në mbledhjen e mbrëmshme të kryesisë qendrore anëtarët kanë zyrtarizuar vendimin për procesin e ardhshëm zgjedhor në degët e BDI-së që do të mbahet në 2 Korrik 2023. Siç thuhet në njoftim, këto zgjedhje brenda degëve do të mbahen sipas parimit “një anëtar” një votë, do të shërbejnë si platformë për vendimmarrje kolektive dhe do të forcojnë më tej vlerat demokratike që e karakterizojnë partinë tonë.
Kjo konfirmon raportimin e disa ditëve më parë të TV21 se partia e Ahmetit po përgatitet të zgjedhë kryetarë të rinj të degëve, sidomos të atyre degëve që janë nën kontrollin e figurave të “grupit të zjarrit”, si dega Çair dhe Saraj. Për Çairin tashmë përfliten disa emra që do ta zëvendësonin kryetarin aktual të degës, Izet Mexhitin, e ata janë Bekim Neziri, Ardijan Muça dhe Abdylselam Selami.