Kuvendi i Republikës së Maqedonisë sot në fillim të mbledhjes së 18- të i konstatoi dorëheqjet e deputetëve të cilët në rrethin e parë të zgjedhjeve lokale fituan mandate të kryetarëve të komunave. Pesë deputetë të cilët u bënë kryetarë të komunave në rrethin e parë të zgjedhjeve janë Petre Shilegov, Stefan Bogoev, Sasho Pockov, Kosta Janevski dhe Maksim Dimitrievski. Vendet e tyre të deputetëve, siç kumtoi MIA, pritet t’i marrin Tatijana Lalçevska, Aneta Simeska-Dimoska, Lidija Tasevska, Riste Tashev, Kostadin Kostadinov, Agim Murtezanov dhe Kostadin Acevski. Kuvendi sot konstaton ndërprerje të mandateve të deputetëve edhe për Bardhyl Dautin nga PDSH dhe të Zekirja Ibrahimit nga BESA, i cili dorëheqjen në Parlament e parashtroi para rrethit të dytë të zgjedhjeve. Kuvendi do të vazhdojë me punë rreth orës 13:00 pasi që të marrë njoftim nga KSHZ-ja e cila do t’i zëvendësojë këta deputetë. Në mbledhjen e sotme marrin pjesë deputetët edhe nga shumica në pushtet edhe nga opozita. Kryetarët e rinj të komunave pas konstatimit të ndërprerjes së mandatit të tyre u përshëndetën me kryetarin e Kuvendit dhe me kolegët e tyre të cilët u dëshiruan punë të suksesshme. Pritet edhe një ndryshim i përbërjes kuvendore pasi që në rrethin e dytë të zgjedhjeve lokale kryetarë të komunave u bënë Bllagoja Boçvarski në Shtip dhe Kurto Dudush në Shuto Orizarë. Ndërprerja e mandatit të tyre do të konstatohet pasi që KSH-ja do t’i shpallë rezultatet nga rrethi i dytë i zgjedhjeve si përfundimtare.
Në rend dite të mbledhjes së 18-të të Kuvendit, e cila është e para pas pauzës për shkak të zgjedhjeve lokale, janë Propozim vendimi për ndryshim të Vendimit për dërgim të pjesëtarit të ARMsë për pjesëmarrje në operacionin paqësor të Kombeve të bashkuara, UNIFIL në Liban, kërkesa për dhënie të interpretimit autentik të nenit 15 paragrafi 4 alinea 5 dhe nenit 69 nga Ligji për tokën ndërtimore, parashtruar nga kryetari i komunës Ilinden, kërkesa për dhënie të interpretimit autentik të nenit 12 paragrafi 13 nga Ligji për tokë ndërtimore, parashtruar nga u.d. kryetar i komunës së Strumicës, kërkesa për dhënie të interpretimit autentik të nenit 9 paragrafi 1 alinea 1 nga Ligji për furnizime publike, parashtruar nga kryetari i komunës së Kumanovës, si dhe kërkesa për dhënie të interpretimit autentik të nenit 14 paragrafi 4 dhe nenit 42 paragrafi 10 të Ligjit për lëndë të para minerale, parashtruar nga kryetari i komunës Bogdanci.