Detaje të reja janë zbardhur në lidhje me Imer Krrashin, i kapur sot nga policia, pasi fillimisht tentoi t’iu ikte forcave të rendit me automjetin, duke bërë dhe një aksident. Zbulohet se është pjesë e grupit kriminal të Marklen Hakës.
Burime për mediat bëjnë me dije se Imer Krrashi, 31 vjeç, është identifikuar si pjesë e strukturës së organizuar që drejtohet nga Haka.
Ajo që bie në sy është se Imer Krrashi, i cili aktualisht figuron me këtë emër, më herët ka qenë i njohur si Imer Masha apo Imer Uka, me origjinë nga Kruja.
Ndryshimi i identitetit ngre dyshime për përpjekje për të shmangur vëmendjen e autoriteteve dhe për të vepruar në prapaskenë.
31-vjeçari u ndalua sot nga policia në zonën e Liqenit të Thatë, pas indicieve se një person qarkullon me armë në automjet. Krrashi sapo iu kërkua t’i bëhet kontroll automjetit, shkeli gazin duke u larguar nga zona.
Rrugës përplasi nëntë makina duke ikur me shpejtësi dhe një motor në të cilën ishte një polic me bashkëshorten e tij, të cilët u dërguan në spital me plagë të lehta, jashtë rrezikut për jetën. Më pas Krrashi u vu në prangat e policisë dhe në automjet iu gjet dhe arma e zjarrit.