Një 25-vjeçare belge është arrestuar në aeroportin e Rinasit, pasi u kap në flagrancë me lëndë narkotike të llojit Amphetamine, në tentativë për të dalë nga Shqipëria.
Sipas njoftimit zyrtar të policisë, arrestimi i shtetases K.D. u bë si rezultat i kontrolleve të imtësishme në hyrje-daljet e pikës kufitare, në kuadër të masave për goditjen e veprimtarive të paligjshme në kufi.
“Shërbimet e Policisë Kufitare Rinas, në bashkëpunim me Seksionin për Hetimin e Narkotikëve të DVP Tiranë, kapën në flagrancë 25-vjeçaren belge me sasi të lëndës narkotike Amphetamine në çantë,” thuhet në njoftim.
Lënda narkotike është sekuestruar në cilësinë e provës materiale, ndërsa materialet procedurale janë referuar Prokurorisë së Tiranës për veprime të mëtejshme.
Policia nuk ka dhënë detaje mbi sasinë e saktë të drogës, itinerarin e udhëtimit apo nëse ka persona të tjerë të përfshirë në rast. Hetimet vijojnë.