Avokati Kujtim Cakrani, i cili u dhunua nga dy persona këtë të dielë, 8 shkurt, në një pikë karburanti në Vlorë, ka pësuar dëmtime në kokë pasi është goditur me mjet prerës në pjesën e pasme.
Mbrojtësi ligjor i ish presidentit Ilir Meta ka pësuar një frakturë të rëndë në pjesën e pasme të kokës, dhe për pasojë ai u transportua në Spitalin Rajonal të Vlorës, ku ndodhet i shtruar në reanimacion.
Burime spitalore bëjnë me dije se avokati i ish presidentit ka dëmtime serioze në kokë, dhe aktualisht nuk arrin të qëndrojë në këmbë.
Ndërkohë, në spital pritet mbërritja e ekspertëve mjeko-ligjorë, si edhe e përfaqësuesve të policisë, të cilët do të marrin dëshminë e avokatit dhe po punojnë për zbardhjen e plotë të ngjarjes.
NGJARJA
Ngjarja u shënua rreth orës 13:30 në ambientet e një karburanti në rrugën Tranballkanike, gjatë kohës që avokati ka qenë duke furnizuar automjetin me karburant. Konflikti ka nisur për shkak të pozicionit se si e kishte lënë avokati automjetin që sipas dy personave, me të cilët është konfliktuar, kishte bllokuar edhe automjetet e tjera. Pasi fillimisht e kanë sharë, njëri prej tyre ka zbritur nga makina ku ndodheshin, ka hyrë nga dera e pasagjerit dhe e ka goditur me mjet prerës në kokë, duke i shkaktuar dëmtime.
DËSHMIA E AVOKATIT
“Ishin dy çuna me një makinë, që pasi më provokuan, më dhunuan fizikisht. Më goditën pas koke, me njërin po bisedoja dhe tjetri më goditi pas koke. Ka ndodhur në hyrje të Vlorës, në një pikë karburanti. Do të kthehesha në Tiranë. Erdhën, provokuan dhe më pas filluan me fjalë fyese. Më pas dolën nga makina, më goditën dhe më qëlluan. Njëri ka qenë me mjet prerës. Më goditën pas koke se isha ulur në makinë, isha në vend të parë të makinës. Njëri nga dritarja po ofendonte, dhe tjetri kaloi nga pasagjeri. Pse ke parkuar keq makinën, ke zënë gjysmën e karburantit. Ishte një formë provokimi.”
I pyetur nëse mendon se ishte diçka tjetër, ai thotë se:
“Nuk e di. Në këtë moment nuk mund të them gjë se nuk dua. Nuk i njoh ishin moshë e re. kërcënime në rrjete sociale padyshim që kam për profesonin që bëj, për çështje sensitive që ndjek, por nuk mund të them dhe të jap dot një shpjegim. Vetëm pas koke kam lëndime, në trup jo.”, ka thënë ai.


