U.d i drejtorit të RTK1, Lorik Arifaj, ka thënë se është përfshirë në zgjedhjen e problemit të nëntë gazetarëve të televizionit, të cilët s’e kishin pranuar vendimin për emërimin e një redaktori, kishin kërkuar vlerësim të punës dhe kishin denoncuar punësimet në RTK.
Arifaj ka thënë se këta gazetarë i kanë respektuar por s’kanë mundur t’i bëjnë pjesë të vendimmarrjes.
Për këtë arsye, ai ka thënë se dikush po tenton të pengojë punën e RTK’së. Ka thënë se pengimi i punës së menaxhmentit është vepër penale.
“E vertete. E pritshme. Madje edhe ne diskutim me ta ku jam perfshi edhe une e kam permend kete situate. Po shihet agjenda. Asnjeher nuk u eshte cenu fjala e lire. Asnjeher nuk jane detyru me punu jashte obligimeve kontraktuale. E partner ne vendim marrje nuk i njeh ligji. Madje pengimi i menaxhimit konsiderohet si veper penale. Shohim e bëjmë”, ka shkruar Arifaj.
Aktualisht, RTK s’ka drejtor. As Radio Kosova s’ka drejtor.
Bordi s’ka pasur kuorum pasi një anëtare po vazhdon të mos marrë pjesë në mbledhje. Naile Demiri ishte e vetmja që s’e kishte votuar për Drejtor të Përgjithshëm Ngadhnjim Kastratin, i cili po kontestohet nga një pjesë e stafit të RTK’së.
Drejtori i Përgjithshëm i RTK’së ka konfirmuar se i ka avancuar dhe risistemuar 9 gazetarët pasi kishin bërë një kërkesë të tillë.
Ata s’po e pranojnë për redaktor Besart Galicën. E kanë njoftuar edhe Drejtorin e Përgjithshëm të RTK’dë, Ngadhnjim Kastratin, i cili ende kontestohet prej një pjesë të punëtorëve të RTK’së.
Nëntë gazetarët e RTK’së kanë shkruar në letër se s’po i dëgjon askush brenda televizionit pavarësisht fakteve që kanë s’ka pasur asnjë vlerësim paraprak për vendimet që janë marrë.
“Ne konsiderojmë se tashmë i kemi konsumuar të gjitha rrugët institucionale brenda RTK’së për ta zgjidhur njëherë e mirë këtë problem. Nga diskutimi që patëm sot kemi ardhur në përfundim që mungon vullneti dhe gatishmëria për një zgjidhje të shpejtë dhe të dinjitetshme të këtij problemi”, thuhet në letrën drejtuar menaxhmentit të RTK’së.
Gazetarët e RTK’së kanë publikuar të dhëna për shkelje ligjore edhe kur janë punësuar njerëzit në televizionin publik.
Aty mund të ketë hetime edhe prej Prokurorisë së Shtetit se si punësimet në këtë institucion ndodhin për njerëz të padiplomuar.
“Ju rikujtojmë se në rastin e kolegut Besart Galica nuk janë shkelur procedurat vetëm në emërimin e tij si redaktor në lajmet qëndrore, por edhe siç mund të jeni në dijeni për të njëjtin person shkelje ka pasur edhe në kriterin për punësim në kualifikimin përkatës”, thuhet më tej në letër.
Sipas gazetarëve, Besart Galica është ngritur në pozitën e redaktorit mbi bazën e diskriminimit, shkeljeve ligjore.
“…Tash e tutje do t’ju drejtohemi institucioneve përkatëse ligjore jashtë RTK’së…”, thuhet më tej në letër.


