Mjeku kirurg Nikolla Nunka, i arrestuar për akuzën e ngacmimit seksual ndaj një 21-vjeçareje, ndodhet i shtruar në spitalin e Korçës pas problemeve shëndetësore të shfaqura në ambientet e komisariatit.
Sipas informacioneve paraprake, Nunka ka pasur edhe më herët probleme me zemrën dhe nuk është ndjerë mirë pas shoqërimit nga policia. Për këtë arsye ai është dërguar me urgjencë në spital për kontroll mjekësor.
Burime bëjnë me dije se pas ekzaminimeve dhe EKG, mjekët kanë konstatuar probleme kardiake, ndërsa kardiologu ka vendosur që kirurgu të mbahet i shtruar dhe nën monitorim të vazhdueshëm.
Ndërkohë, pritet të vendoset edhe lidhur me zhvillimin e seancës për masën e sigurisë, e planifikuar për ditën e nesërme, e cila mund të mbahet në ambientet e spitalit.


