Pak ditë më parë, konkretisht më 27 prill 2026 një shtetas kinez humbi jetën në aksin rrugor Elbasan-Librazhd, ndërsa 6 persona të tjerë mbetën të plagosur.
Fillimisht u raportua se ai ishte thjesht një turist, por mediat e huaja raportojnë se bëhet fjalë për 60 vjeçarin Li Jianhong, president dhe kryetar i kompanisë “Xinjiang Grand Scape Group” dhe themelues i resortit të skive “Silkroad Mountain Resort” në Urumqi të Kinës.
Mediat ndërkombëtare raportojnë se ai kishte ardhur në Shqipëri për një takim pune, i cili rezultoi fatal për të.
Automjeti i biznesmenit kinez u përplas me një tjetër automjet, me shofer një 26 vjeçar shqiptar, i cili më pas ra në pranga për “shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor”.
Sipas të dhënave publike, Li Jianhong ka lindur në dhjetor 1965 në Kashgar dhe në vitin 1993 ka lënë një pozicion pune në Guangzhou për t’u kthyer në Xinjiang, ku nisi aktivitetin e tij privat.
Më pas, ai themeloi Xinjiang Grand Scape Group, një kompani me aktivitet në telekomunikacion, turizëm dhe menaxhim investimesh, e cila u rrit duke arritur asete të konsiderueshme dhe mijëra të punësuar.
Grupi i tij ka qenë gjithashtu bashkëthemelues i Xinjiang International Grand Bazaar, një prej pikave më të njohura turistike në Urumqi, ndërsa në vitin 2003 Li themeloi Silkroad Mountain Resort, një nga resortet më të mëdha të skive në Kinë.
I njohur për pasionin e tij për alpinizmin dhe skitë, Li kishte përfunduar ekspeditën “Explorer’s Grand Slam”, duke ngjitur shtatë majat më të larta në botë dhe duke arritur të dy polet. Ai kishte ngjitur edhe majën e Mount Everest në vitin 2018, si dhe maja të tjera të rëndësishme si K2 dhe Lhotse.


