Zëdhënësi i Qeverisë së Greqisë dhe ministër pa resor, Dimitris Tzanakopoulos në një intervistë për gazetën greke “Nea selida” ka shprehur optimizëm se kryeministri i Shkupit, Zoran Zaev do ta bëjë “hapin vendimtar” dhe do të arrihet marrëveshja, përcjell Telegrafi Maqedoni.
“Negociatat, por edhe vendimi politik për zgjidhjen e kontestit të emrit nuk janv të lehta. Zoran Zaev duhet të mendojë për të gjitha aspektet dhe të marrë përgjegjësi të madhe ndaj bashkëatdhetarëve të tij, diçka për të cilën jam i sigurtë se do ta bëjë. Nëse dikush në udhëheqësinë politike IRJM dëshiron të shkatërrojnë mundësinë për gjetjen e zgjidhjes për këtë çështje, këtë unë nuk mund ta di. Por jam optimist se Zaev do ta bëjë hapin vendimtar dhe do të arrijmë marrëveshje”, tha Tzanakopoulos, duke shtuar se kjo marrëveshje është “kusht i detyrueshëm për një ardhmëri të solidaritetit dhe bashkëpunimit në Ballkan”.
Tzanakopoulos nuk zbuloi nëse marrëveshja e arritur do të ratifikohej në Parlamentin grek para ose pas ndryshimeve kushtetuese në Maqedoni, por tha se do të ekzistojnë masa për plotësimin e të gjitha detyrimeve./Telegrafi/