Një tur me biçikleta rreth Liqenit të Ohrit do të mbahet sot me rastin e Ditës së Evropës, e njëherit do të promovohet lëvizshmëria e qëndrueshme, ndërgjegjësimi ekologjik, një stil jetese i shëndetshëm dhe pjesëmarrje qytetare, njoftoi Delegacioni i BE-së në vend.
Ky tur ndërkufitar me biçikleta është një aktivitet i përbashkët i Delegacioneve të Bashkimit Evropian në Maqedoninë e Veriut dhe Shqipëri dhe po zbatohet në partneritet me Shtëpinë e Evropës në Strugë dhe Shtëpinë e Evropës në Tiranë.
“Shtegu reth Liqenit të Ohrit lidh komunitetet përtej kufijve rreth një prej monumenteve më të rëndësishme natyrore dhe kulturore në rajon. Turi me biçikletë thekson rëndësinë e bashkëpunimit rajonal dhe lidhjeve midis njerëzve në ndërtimin e një të ardhmeje më të gjelbër dhe më të bashkuar. Ai simbolizon një festë të përbashkët të vlerave evropiane, bashkëpunimit dhe qëndrueshmërisë, theksojnë nga Delegacioni i BE-së në Shkup.
Me rastin e kësaj ngjarje, fjalim do të mbajë edhe zëvendës-shefi i Delegacionit të BE-së në Parkun e Poezisë në Strugë në orën 17:00.
Programi i Ditës së Evropës 2026, i prezantuar nën sloganin “Evropa jonë. Së bashku më të fortë”, organizohet nga Delegacioni i Bashkimit Evropian, rrjeti i Shtëpisë së Evropës dhe ambasadat e vendeve Anëtare të BE-së.


