Pedagogu dhe moderatori i emisionit “Oponencë” në News24, Shpend Gashi, ka ngritur shqetësimin për presionin ndaj mediave kritike në vend, duke deklaruar se ato përballen me gjoba të vazhdueshme dhe të pajustifikuara.
Gjatë një tryeze të organizuar nga Ervin Salianji me përfaqësues të botës akademike dhe intelektuale, Gashi theksoi se fenomeni i largimit nga Shqipëria nuk prek më vetëm shtresat në nevojë, por edhe individë me biznese dhe karrierë të konsoliduar.
Ai u ndal tek niveli i jetesës në vend, duke theksuar se problemi nuk lidhet më thjesht me të ardhurat financiare, por me cilësinë e jetës. Sipas tij, përfitimi ekonomik mund të arrihet lehtësisht përmes lidhjeve politike, por kjo sjell një varësi të përhershme.
Në fjalën e tij, Gashi theksoi gjithashtu se media përballet me presione të vazhdueshme, duke shtuar se redaksia ku ai punon përballet rregullisht me gjoba të konsiderueshme, të cilat, sipas tij, vendosen pa arsye të qarta.
Ai e konsideroi arsimin si problemin më të madh në vend, duke nënvizuar mungesën e vlerësimit për figurën e pedagogut. Gashi shprehu keqardhje për rolin e tij në këtë sistem, duke pranuar se reagimi i vonuar i shoqërisë ka sjellë pasojat që po ndihen sot.
Shpend Gashi: Nuk është as media problemi kryesor, as gjyqësori, është arsimi. Në Japoni ka një shprehje; Pedagogu gëzon respektin e Hirohitos dhe ka rrogën e kryeministrit. Sepse edhe vetë Hirohito, Perandori, është stërvitur nga një pedagog. Mua sot më vjen zor që jam pedagog, unë kam dështuar në misionin fisnik për të shpëtuar studentët e mi.
Kam heshtur atëherë kur duhet të ulërija dhe kam ulërirë me pak vonesë. Kostot e kësaj ulërimës së vonuar po i vuajmë tani kur jemi bërë të gjithë me nga një çantë për të ikur, edhe ata që kanë biznese, familje, një karrierë të ngritur. Këtu po flitet për standard jetese, jo më për standardin e parasë. Për të kapur standardin e parasë mjafton të bësh një deal me Edi Ramën ose një politikan tjetër dhe i more ato paratë e tua por do të jesh skllav i përjetshëm i vetëdijshëm.
Është e vërtetë që media është e kapur, por unë punoj në një media që nuk ka shanse që njëherë në 2-3 ditë të mos i vijë një gjobë 1.5-2 mln euro gjobë nga hiçi. Ky është realiteti. Për të marrë njerëzit të cilët janë pranë qeverisë që të mbrojnë tezat e tyre për të bërë një dialog apo debat konstruktiv, nuk kanë shanse që të hapin telefonin. Ne e dimë se çfarë duhet të bëjmë.


