Autoritetet spanjolle njoftuan sot se trupi i një burri 56-vjeçar u gjet i varrosur në baltë, një vit pasi ishte zhdukur nga përmbytjet shkatërrimtare që kishin goditur juglindjen e Spanjës.
Më 29 tetor të vitit të kaluar, rreth 240 persona humbën jetën kur rrjedhat e ujit përmbytën shtëpi, parkingje dhe automjete në periferi të Valencias, qyteti i tretë më i madh i Spanjës.
Sipas një gjykate në Catarroja, një nga zonat më të prekura, burri ishte një nga tre personat ende të zhdukur, ndërsa ishte shpallur tashmë zyrtarisht i vdekur.
Trupi u zbulua dje, gjatë punimeve të tokës në qytetin Manises, rreth 40 kilometra larg nga Pedralba, zona ku ishte humbur, sipas njoftimit zyrtar.
Sipas ligjit spanjoll, gjyqtarët duhet të marrin pjesë në procesin e konstatimit dhe identifikimit të trupave të gjetur.
E njëjta gjykatë, e udhëhequr nga gjyqtarja Nuria Ruiz, po heton vonesat në reagimin e shërbimeve të emergjencës gjatë përmbytjeve, të cilat konsiderohen ndër fatkeqësitë natyrore më të rënda në historinë moderne të Spanjës.