Presidenti kinez Xi Jinping ka shoqëruar Presidentin amerikan Donald Trump në një turne të veçantë në Zhongnanhai, kompleksin me siguri të lartë ku jetojnë dhe punojnë udhëheqësit më të lartë të Kinës. Vizita përbën ngjarjen kryesore të ditës së fundit të qëndrimit të Trump në Pekin, përpara rikthimit të tij në Uashington.
Pas turit, dy liderët do të zhvillojnë një takim dypalësh gjatë një ceremonie çaji, ku do të diskutojnë për tregtinë, Iranin dhe çështje të tjera ndërkombëtare. Në konferencën e përbashkët për shtyp, Trump e cilësoi Xi-në si “një njeri që e respektoj shumë” dhe shtoi se ai ishte “bërë, me të vërtetë, një mik”.
“Ne kemi zgjidhur shumë probleme që të tjerët nuk do të kishin qenë në gjendje t’i zgjidhnin dhe marrëdhënia jonë është shumë e fortë”, deklaroi Trump.
Një nga temat kryesore të diskutimit ishte Irani. Trump tha se Kina dhe SHBA-ja ndajnë të njëjtin qëndrim për të parandaluar Teheranin të sigurojë armë bërthamore dhe për të mbajtur të hapur Ngushticën e Hormuzit.
“Ne nuk duam që ata të kenë armë bërthamore dhe duam që ngushtica të jetë e hapur”, u shpreh presidenti amerikan.
Nga ana e tij, Xi Jinping foli për një “marrëdhënie të re dypalëshe” mes dy vendeve dhe premtoi t’i dërgojë Trump fara të trëndafilave kinezë që presidenti amerikan admiroi gjatë shëtitjes në kopshtet e Zhongnanhai.
Më herët gjatë ditës, Fox News transmetoi një intervistë me Trump, ku ai tha se Xi kishte premtuar se Kina nuk do ta furnizonte Iranin me pajisje ushtarake. Sipas Trump, Xi kishte theksuar gjithashtu se Kina dëshiron të vazhdojë blerjen e naftës iraniane.
Presidenti amerikan bëri të ditur se Kina kishte rënë dakord të blinte naftë amerikane dhe 200 avionë Boeing. Ai shtoi se bisedimet tregtare me Pekinin kishin shkuar “më mirë se herën e fundit”.
Trump theksoi se delegacioni i biznesit amerikan që e shoqëronte në Pekin ishte atje për të “bërë marrëveshje” dhe për të “siguruar vende pune”.
Megjithatë, pavarësisht atmosferës së ngrohtë dhe miqësisë së dukshme mes dy liderëve, marrëdhëniet SHBA-Kinë mbeten të tensionuara për çështje të rëndësishme si tregtia, teknologjia, siguria kombëtare dhe lufta me Iranin.
/rtsh.al/


