Presidenti amerikan Donald Trump deklaroi se Shtetet e Bashkuara duhet ta “zotërojnë” Groenlandën për të parandaluar që Rusia dhe Kina të rrisin ndikimin e tyre në territorin strategjik të Arktikut.
“Vendet duhet të kenë pronësi. Ju nuk mbroni kontrata qiraje, por pronësinë. Dhe ne do të duhet ta mbrojmë Groenlandën”, u shpreh Trump për gazetarët të premten, duke shtuar se kjo mund të bëhet “në mënyrën e lehtë ose në mënyrën e vështirë”.
Deklaratat vijnë mes raportimeve se administrata amerikane po shqyrton mundësinë e blerjes së Groenlandës, territor gjysmë-autonom i Danimarkës dhe pjesë e NATO-s, pa përjashtuar as skenarin e aneksimit me forcë. Danimarka dhe autoritetet e Groenlandës kanë reaguar menjëherë, duke theksuar se territori “nuk është në shitje”.
Në një deklaratë të përbashkët, udhëheqësit e partive politike të Groenlandës, përfshirë opozitën, thanë se “SHBA-të duhet të ndalojnë shpërfilljen ndaj vendit tonë”, duke theksuar se e ardhmja e Groenlandës duhet të vendoset vetëm nga populli grenlandez.
“Ne nuk duam të jemi amerikanë dhe as danezë. Ne duam të jemi grenlandezë”, thuhet në deklaratë.
Trump ka argumentuar vazhdimisht se Groenlanda është jetike për sigurinë kombëtare të SHBA-së për shkak të pozicionit të saj strategjik midis Amerikës së Veriut dhe Arktikut, duke pretenduar pa prova se rajoni është i rrethuar nga prani ruse dhe kineze. SHBA-të aktualisht kanë mbi 100 ushtarakë të stacionuar në bazën Pituffik, në veriperëndim të ishullit, bazë që funksionon që nga Lufta e Dytë Botërore.
Sipas marrëveshjeve ekzistuese me Danimarkën, SHBA-të kanë të drejtë të dislokojnë trupa shtesë në Groenlandë, por Trump ka deklaruar se një marrëveshje qiraje nuk është e mjaftueshme.
“Nuk mund të bësh marrëveshje 9-vjeçare apo edhe 100-vjeçare. Duhet pronësi”, tha ai.
Aleatët e Danimarkës në NATO, përfshirë vendet kryesore evropiane dhe Kanadanë, kanë shprehur mbështetje për Kopenhagenin, duke theksuar se çështjet e Groenlandës duhet të zgjidhen në mënyrë kolektive dhe në përputhje me parimet e Kartës së OKB-së, përfshirë sovranitetin dhe integritetin territorial.
Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, pritet të zhvillojë bisedime me autoritetet daneze javën e ardhshme, ndërsa tensionet diplomatike lidhur me të ardhmen e Groenlandës vijojnë të rriten.
Interesi për territorin është shtuar edhe për shkak të burimeve të pasura natyrore, përfshirë mineralet e rralla, uraniumin, hekurin dhe rezervat e mundshme të naftës dhe gazit, të cilat po bëhen më të aksesueshme si pasojë e shkrirjes së akullit nga ndryshimet klimatike.


