Presidenti Donald Trump e filloi fjalimin e tij të parë drejtuar Kongresit amerikan, në mandatin e dytë, me deklaratën se “Amerika është rikthyer”, çka bëri që ligjvënësit republikan të brohorisnin “Amerika”.
“Gjashtë javë më parë, nën kupolën e Kapitolit deklarova agimin e ‘Epokës së Artë të Amerikës’. Që nga ai moment, nuk ka qenë gjë tjetër veçse një veprim i shpejtë dhe i pandërprerë për të sjellë epokën më të begatshme dhe më të suksesshme në historinë e vendit tonë”, tha Presidenti Trump.
Udhëheqësi amerikan tha se administrata e tij “ka arritur gjatë 43 ditëve më shumë se arritjet e shumicës së administratave të tjera në katër ose tetë vjet, dhe sapo kemi filluar”.
Deri më sot, Presidenti Trump ka nënshkruar 76 urdhra ekzekutivë, disa prej të cilave po sfidohen në gjykatë.
Vetëm pak minuta pas fillimit të fjalimit. Presidenti Trump u ndërpre nga zhurma dhe thirrjet që vinin nga ligjvënësit demokratë. Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve, Mike Johnson, dha urdhër për nxjerrjen nga salla të ligjvënësit demokrat Al Green, i cili përfaqëson Teksasin.
Presidenti Trump e vazhdoi fjalimin pasi ligjvënësi Green u largua nga salla.
Udhëheqësi amerikan renditi disa nga urdhrat ekzekutivë, mes tyre shpalljen e emergjencës kombëtare në kufirin jugor dhe vendosjen e ushtrisë amerikane dhe organeve të rendit për të patrulluar kufirin dhe “zmbrapsur pushtimin e vendit”, siç u shpreh ai.
Ai tha gjithashtu se vendosi ngrirjen e menjëhershme të ndihmave për vendet e huaja dhe punësimin në qeverinë federale.
Presidenti Trump gjithashtu tërhoqi Shtetet e Bashkuara nga ajo që ai e quajti Marrëveshja “e padrejtë” e Parisit për Klimën, Organizata “e korruptuar” Botërore e Shëndetësisë dhe këshilli “anti-amerikan” i OKB-së për të drejtat e njeriut./VOA