Një ditë pas shpërthimit me tritol në makinën e prokurorit Arjan Muça, policia ka marrë në mbrojtje familjen e tij. Gazetarja Dorjana Bezat raportoi për “BalkanWeb” se familja e prokurorit që është pjesë e Këshillit të Lartë të Prokurorisë do të ruhet nga policia, pas sulmit me eksploziv që ndodhi mbrëmjen e djeshme, që mendohet se ishte një mesazh paralajmërimi për Muçën dhe nuk kishte synim jetën e tij.
“Punonjës të policisë kanë qenë në patrullim që prej ditës së djeshme pranë banesës së prokurorit dhe gjatë ditës së sotme janë stacionuar sërish deri në sqarimin e rrethanave”, raportoi Bezat.
Shpërthimi ndodhi ditën e djeshme te “Komuna e Parisit”, në Tiranë, ku mjetit tip “Benz” me ngjyrë të zezë iu vu tritol teksa ishte i parkuar në minus dy kate brenda një qendre tregtare. Mjeti pësoi dëme materiale dhe gjithashtu një mjet pranë tij.



