Këshilli i Lartë i Prokurorisë ka reaguar lidhur me ngjarjen e rëndë që ndodhi mbrëmjen e djeshme, ku një sasi tritoli shpërtheu në makinën e prokurorit të Tiranës, Arjan Muça.
Përmes një deklarate KLP kërkon zbardhjen sa më parë të ngjarjes, dhe vendosjen e autorëve përpara drejtësisë, ndërsa shton se ka kërkuar marrjen në mbrojtje të familjes së prokurorit.
Deklarata e KLP-së:
Këshilli i Lartë i Prokurorisë mësoi me indinjatë të thellë lidhur me aktin kriminal që ka ndodhur dje mbrëmë kundër prokurorit Arjan Muça, prokuror pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Gjirokastër i komanduar pranë Këshillit të Lartë të Prokurorisë.
Në pritje të përfundimit të hetimit, të cilit e presim me padurim, ajo që ka ndodhur dje mbrëmë në Tiranë duket si një sulm i shënjestruar ndaj prokurorit për shkak të funksionit të tij. Si i tillë, ky sulm përbën një akt të papranueshëm që synon të intimidojë prokurorin dhe të cënojë mirëfunksionimin e sistemit të drejtësisë
penale në luftën kundër krimit.
Këshilli i Lartë i Prokurorisë e konsideron çdo sulm kundër prokurorëve si një atentat terrorist ndaj sistemit të drejtësisë penale, rendit tonë juridik, vlerave tona shoqërore dhe mënyrës tonë të jetesës. Për këtë arsye ne e konsiderojmë mbrojtjen e prokurorëve të Republikës si detyrën numër një të Këshillit.
Në ushtrim të përgjegjësive tona kushtetuese për mbrojtjen e prokurorëve, në zbatim të ligjit “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë“, Këshilli do t’i sigurojë prokurorit Muça dhe familjes së tij mbrojtjetë posaçme.
Gjithashtu, Këshilli iu bën thirrje të gjitha organeve ligj zbatuese të hetojnë me këmbëngulje dhe përparësi absolute ngjarjen e sotme për të arritur në zbardhjen e saj të plotë dhe të shpejtë. Kjo është mënyra më e mirë për t’i dhënë përgjigjen e duhur krimit dhe për të parandaluar ngjarje të tilla në të ardhmen.
Këshilli i Lartë i Prokurorisë do të ndjekë me interes punën e grupit hetimor deri në zbardhjen përfundimtare të ngjarjes dhe do të mbetet në gatishmëri për kryerjen e detyrave që ia ngarkon ligji.



