“Thirrjet publike që i shpallim janë të dedikuara për bujqit e vegjël, të cilët nuk arrijnë pragun për përfitim nga fondet IPARD. Ne si shtet i ndihmojmë që të hyjnë në proces, të qëndrojnë në këmbët e veta dhe të mund të bëhen përfitues të fondeve IPARD në vitet e ardhshme”, theksoi ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave, Cvetan Tripunovski, në një intervistë për emisionin “Për apo kundër” në televizionin Alfa.
Ministri Tripunovski theksoi se përmes thirrjeve publike edhe ekonomitë bujqësore kanë mundësi ta modernizojnë prodhimin e tyre.
“Kjo është njëra ndër mënyrat se si i ndihmojmë bujqit e vegjël. Nuk flas vetëm për aspektin e përkrahjes financiare, por edhe për aspektin e shpërndarjes së tokës bujqësore. Nëse doni ta bindni dikë të hyjë në procesin bujqësor, është e nevojshme t’i jepni mekanizim, por edhe tokë bujqësore”, shpjegoi ministri.
Ai bëri të ditur se gjatë 12 muajve të fundit janë realizuar dy thirrje publike për shpërndarjen e tokës bujqësore, ku është përfshirë e gjithë territori i Maqedonisë. Janë lidhur mbi 2.100 kontrata dhe janë shpërndarë rreth 6.000 hektarë tokë.
“Dua të potencoj se nuk ka rrjedhur vetëm procesi i shpërndarjes së tokës bujqësore, por ka rrjedhur edhe procesi i kontrollit të keqpërdorimeve të mundshme, me ç’rast gjatë vitit të kaluar janë ndërprerë mbi 170 kontrata dhe janë liruar më shumë se 2.500 deri në 3.000 hektarë”, theksoi ministri.
Ministri Tripunovski theksoi se kontrollet do të vazhdojnë për të parandaluar keqpërdorimin e tokës bujqësore. Edhe toka e marrë do t’u shpërndahet bujqve që duan të punojnë.