
Nga e hëna, shkollat fillore “7 Marsi”, “Rajko Zhinzifov” dhe “Vasill Gllavinov” mund të ngelin pa ngrohje për shkak të borxhit prej gjysmë milion euro që Komuna e Çairit nuk e ka paguar tashmë dy vjet me radhë. Ngrohtorja i ka dhënë komunës ultimatum. Nëse deri nesër nuk paguan të paktën 100 mijë euro, më 6 shkurt këto shkolla do të ngelin pa ngrohje.
“Në qoftë se në llogarinë tonë bankare, deri më 03.02.2017 nuk arrijnë të paktën 6 milion denarë, ju informojmë se do të jemi të detyruar që në datën 06.02.2017, shkollat fillore ‘7 Marsi’, ‘Rajko Zhinzifov’ dhe ‘Vasill Gllavinov’ t’i çkyçim nga sistemi”, kanë thënë nga ngrohtorja Shkup-Veri
Nga kjo ngrohtore kanë shpjeguar se nuk mund të prodhojnë më tepër energji termike për shkak të këtij borxhi të lartë dhe derisa t’i marrin paratë nuk do të mund të më ofrojnë ngrohje për shkollat fillore të Çairit që do të shfrytëzoheshin për të vazhduar me procesin e prodhimit dhe shpërndarjes.
Televizioni Shenja tentoi disa herë të vihet në kontakt me kryetarin e Çairit, Izet Mexhiti për ta pyetur nëse do t’i paguajë borxhet, por ai nuk përgjigjej as në thirrjen dhe as në sms porositë tona.
Para dy muajsh, televizioni Shenja dha alarmin për borxhet e papaguara të komunës, por që të nesërmen e alarmit, ngrohtorja dhe Komuna e Çairit arritën marrëveshje për të tejkaluar këtë problem, por si duket problemi i borxhit nuk ka mbaruar aty.
Ferikan Iljazi /SHENJA/
Tre shkolla të Çairit mund të mbesin pa ngrohje… by tvshenjaofficial